ShBA-ja “ia ngreh veshin” Hungarisë për politikat e saj: Jemi të zhgënjyer, jeni vërtet të vetmuar
Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera që ratifikimi i anëtarësimit të Suedisë në NATO nga Hungaria po zgjat kaq shumë, ka thënë ambasadori amerikan në Budapest, duke paralajmëruar se shteti i Evropës Qendrore është “vërtet i vetmuar” dhe se Qeveria e Hungarisë po ndjek “fantazi të jashtme” në vend të politikës së jashtme.
Pas disa muajve shtyrje, Kuvendi i Turqisë këtë javë e miratoi hyrjen e Suedisë në NATO. Presidenti turk, Rexhep Erdogan, e nënshkroi vendimin të enjten, duke e lënë Hungarinë të vetmin shtet në aleancën me 31 anëtarë që ende nuk e ka ratifikuar hyrjen e Suedisë, raporton gazeta “The Guardian”.
Përderisa qeveria hungareze formalisht e mbështet anëtarësimin e Suedisë, Kuvendi e ka shmangur votimin për këtë çështje, duke nxitur zemërim në mesin e aleatëve të NATO-s dhe duke ngritur pyetje për motivet e kryeministrit hungarez, Viktor Orban.
Udhëheqësi i pushtetit në Hungari vazhdimisht i kritikon aleatët perëndimorë dhe ka ushqyer marrëdhënie me Moskën e Pekinin.
Në një intervistë në ambasadën amerikane në Budapest të enjten pasdite, ambasadori i ShBA-së në Hungari, David Pressman, tha: “Një aleancë është vetëm aq e fuqishme sa zotimet që ia japim njëri-tjetrit dhe zotimet që i mbajmë.”
“Mendoj se është e rëndësishme që qeveria hungareze t’i përmbahet zotimit të saj dhe zotimi i saj ka qenë që nuk do të jetë aleatja e fundit që e ratifikon pranimin e Suedisë [në NATO]. Mbajtja e fjalës është sigurisht një element i rëndësishëm i besimit në cilëndo marrëdhënie”- shtoi diplomati amerikan.
Brenda vendit, disa politikanë hungarezë kanë argumentuar se ratifikimi i hyrjes së Suedisë në NATO nuk është votuar ende në Kuvend për shkak se ky shtet ka dhënë kritika për gjendjen e demokracisë në Hungari. Megjithatë, diplomatët e afërt me procesin e aplikimit për hyrje në NATO thonë se Hungari asnjëherë nuk ka paraqitur ndonjë ankesë zyrtarisht për anëtarësimin e Stokholmit në aleancë.
Kur u pyet nëse Hungaria kishte paraqitur ndonjë kërkesë, ambasadori Pressman tha: “Shtetet e Bashkuara nuk janë të vetëdijshme se çfarë është duke e shkaktuar shtyrjen e qeverisë hungareze [për Suedinë].”
Ai qe i qartë për pozicionin e Uashingtonit rreth kësaj çështjeje. “Ne jemi të zhgënjyer që kjo ka zgjatur kaq shumë dhe presim që Hungaria t’i përmbahet zotimit që e ka bërë para Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tjerë të saj.”
Ambasadori e theksoi edhe thellimin e izolimit diplomatik të Budapestit, përtej temës së hyrjes së Suedisë në NATO.
“Hungaria është vërtet e vetmuar – dhe nuk ka nevojë që të jetë”- tha ai, duke i përmendur vendimet qeveritare si bllokimi i ndihmës financiare të BE-së për Ukrainën, zhvillimin e bisedimeve me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe rezistencën ndaj përpjekjeve për t’u larguar nga burimet ruse të energjisë si “shenja shqetësuese”.
Përderisa Hungaria është zyrtarisht aleate e ShBA-së, kryeministri Orban e ka paraqitur në mesin e kundërshtarëve presidentin amerikan, Joe Biden, dhe zyrtarë të lartë hungarezë e kanë akuzuar Uashingtonin për ndërhyrje në politikat e vendit të tyre. Mediat hungareze që kontrollohen nga shteti vazhdimisht publikojnë përmbajtje anti-amerikane, përfshirë teori konspirative rreth politikës së jashtme të ShBA-së.
“Marrëdhënia dypalëshe mes ShBA-së dhe Hungarisë është skajshmërisht e vështirë”- tha ambasadori amerikan, duke e përshkruar si “fantazi” politikën e jashtme të qeverisë hungareze.
Diplomati Pressman kritikohet pothuajse përditë në mediat hungareze që kontrollohen nga shteti.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli