ShBA-ja ia miraton Tajvanit blerjen e sistemit “Volcano” për hedhjen e minave anti-tank - NACIONALE

ShBA-ja ia miraton Tajvanit blerjen e sistemit “Volcano” për hedhjen e minave anti-tank

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara e ka miratuar shitjen e sistemit “Volcano” për hedhjen e minave anti-tank në Tajvan në kohën e rritjes së kërcënimeve ushtarake nga Kina.

Departamenti i Shtetit tha të mërkurën se sistemi “Volcano” dhe të gjitha pajisjet që ndërlidhen me të do të kushtojnë rreth 180 milionë dollarë, shkruan “Associated Press”, përcjell “Nacionale”.

Në njoftimin e tij, Departamenti i Shtetit tha se shitja e sistemit “Volcano” u shërben “interesave kombëtare, ekonomike dhe të sigurisë së ShBA-së përmes përkrahjes së përpjekjeve të vazhdueshme të marrësit për t’i modernizuar forcat e veta të armatosura dhe për të mbajtur aftësi të besueshme të mbrojtjes”.

Në njoftim thuhet se Tajvani nuk do të ketë vështirësi për ta futur këtë pajisje në forcat e armatosura dhe se kjo shitje “nuk do ta ndryshojë baraspeshën themelore ushtarake në rajon”.

Ky sistem shpërndan mina anti-tank dhe kundër personelit nga një automjet tokësor ose nga helikopteri. Disa ekspertë besojnë se Tajvanit i nevojitet më shumë kjo armë për të dekurajuar ose zmbrapsur një pushtim të mundshëm nga Kina.

Si për ta reklamuar këtë rrezik, ushtria kineze dërgoi 71 aeroplanë e shtatë anije drejt Tajvanit si shenjë e shfaqjes së forcës drejt ishullit me vetëqeverisje, të cilin e konsideron territor të vetin, tha të hënën Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit.

Ngacmimi ushtarak kinez ndaj Tajvanit është shpeshtuar viteve të fundit, bashkë me retorikën e zyrtarëve të lartë se ishulli nuk ka zgjedhje tjetër pos ta pranojë sundimin kinez.

Nga ora 6 e mëngjesit të dielën deri në orën 6 të mëngjesit të hënën, 47 aeroplanë kinezë e kaluan vijën e mesit të Ngushticës së Tajvanit, kufi jozyrtar që dikur pranoj në heshtje nga të dyja palët, sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Tajvanit.

Ky veprim i Kinës erdhi pas shprehjes së zemërimit nga Pekini për dispozitat e lidhura me Tajvanin në buxhetin e shpenzimeve ushtarake të Shteteve të Bashkuara.

Kina kreu ushtrime të mëdha ushtarake me municion të vërtetë në gusht si reagim ndaj vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Nancy Pelosi, në Tajvan. Pekini i sheh vizitat e zyrtarëve të huaj në ishull si njohje de fakto e pavarësisë së Tajvanit.

Lajme të ngjashme