ShBA-ja i mbështet për herë të parë garancitë e sigurisë për Ukrainën
Shtetet e Bashkuara për herë të parë të martën mbështetën një koalicion të gjerë të aleatëve të Ukrainës për t’u zotuar që të ofrojnë garanci të sigurisë, në të cilat, sipas udhëheqësve, do të përfshihen zotime të detyrueshme për ta mbështetur këtë shtet, nëse sulmohet përsëri nga Rusia.
Zotimi erdhi në një samit të mbajtur në Paris nga “koalicioni i vullnetit”, i përbërë kryesisht nga shtete evropiane për forcimin e garancive të sigurisë në mënyrë që Kievi të sigurohet në rast të një armëpushimi me Rusinë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Emisari i posaçëm amerikan, Steve Ëitkoff, tha pas samitit se presidenti i ShBA-së, Donald Trump, “qëndron fuqishëm prapa protokolleve të sigurisë”.
“Qëllimi i këtyre protokolleve të sigurisë është që… të frenohet çfarëdo sulmi, çfarëdo sulmi i mëtejmë në Ukrainë dhe… nëse ka ndonjë sulm, qëllimi i tyre është që të mbrojnë dhe ato do t’i bëjnë të dyja. Ato [garancitë] janë aq të forta sa i ka parë ndonjëherë ndokush” – deklaroi ai.
Në një deklaratë të udhëheqësve të koalicionit gjithashtu thuhet se aleatët do të marrin pjesë në një mekanizëm të propozuar nga Shtetet e Bashkuara për vëzhgimin dhe verifikimin e armëpushimit.
Bisedimet për t’i dhënë fund luftës që nisi në shkurtin e vitit 2022 janë përshpejtuar nga nëntori i vitit të kaluar. Megjithatë, Moska ende nuk ka dhënë shenja gatishmërie për të bërë lëshime, pasi Kievi kishte bërë shtytje për ndryshime në një propozim amerikan, i cili fillimisht i mbështeste kërkesat kryesore të Rusisë./Nacionale