ShBA-ja i fut në listën e terroristëve katër grupe nga Evropa
Shtetet e Bashkuara të enjten i cilësuan si terroristë globalë katër entitete në Gjermani, Itali dhe Greqi, duke i akuzuar se janë “grupe të dhunshme Antifa”, kur presidenti Donald Trump po i vë në shënjestër grupet majtiste.
Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, tha në një deklaratë se i kishte futur në listën e “Terroristëve Globalë të Cilësuar në Mënyrë të Veçantë” grupin me bazë në Gjermani, “Antifa Ost” bashkë me tri grupe të tjera në Greqi e Itali, në përpjekje për ta mbështetur “zotimin [e Trumpit] për t’iu kundërvënë fushatës së dhunës politike të Antifa-s”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Rubio bëri të ditur se synon që këto grupi t’i fusë edhe në listën e “Organizatave Terroriste të Huaja” nga 20 nëntori dhe paralajmëroi se Uashingtoni do të vërë në shënjestër edhe grupe të tjera në pjesë të ndryshme të botës.
“Grupet e lidhura me këtë lëvizje i atribuohen anarkisë revolucionare ose ideologjive marksiste, përfshirë antiamerikanizmin, antikapitalizmin dhe antikrishterimin, duke i përdorur këto për të nxitur dhe justifikuar sulme të dhunshme brenda e jashtë vendit” – tha kryediplomati amerikan.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë që t’i përdorin të gjitha mjetet në dispozicion për t’i mbrojtur sigurinë tonë kombëtare dhe sigurinë publike dhe do t’i refuzojnë financimet dhe burimet për terroristët, përfshirë shënjestrimin e grupeve të tjera Antifa në mbarë globin” – shtoi ai.
Trumpi dhe aleatët e tij republikanë i kanë akuzuar pasuesit e grupeve Antifa për nxitje të dhunës politike pas vrasjes së aktivistit konservator, Charlie Kirk, në shtatorin e këtij viti dhe në kohën e protestave kundër autoriteteve federale të migracionit në disa qytete, përfshirë Los Angelesin Chicagon e Portlandin.
Sipas një raporti të Shërbimit Hulumtues të Kongresit, i vitit 2020, Antifa, që është shkurtesë për organizatë antifashiste, është lëvizje e centralizuar pa një strukturë të qartë, hierarki komanduese apo udhëheqës./Nacionale