ShBA-ja hap hetim penal ndaj vëllezërve Tate që u larguan nga Rumania
Florida e Shteteve të Bashkuara ka nisur një hetim penal ndaj vëllezërve Andrew e Tristian Tate, të cilët javën e kaluar u larguan nga Rumania, ku ballafaqoheshin me akuza për përdhunim e për trafikim të njerëzve.
Kryeprokurori i Floridës, James Uthmeier, tha se hetuesit kanë lëshuar urdhërarreste e fletëthirrje si pjesë e një hetimi “tani aktiv”, raporton televizioni BBC.
Në ShBA, vëllezërit Tate gjithashtu ballafaqohen me një padi civile nga një grua që pretendon se ata e kanë detyruar që të bëjë punë me marrëdhënie intime dhe më pas e kanë diskredituar, pasi kishte dhënë dëshmi para autoriteteve rumune. Ata i mohojnë fuqishëm të gjitha akuzat kundër tyre.
Andrew, 38 vjeç, dhe vëllai i tij, Tristian, 36 vjeç, ballafaqohen me akuza të tjera në Britaninë e Madhe për përdhunim e për trafikim të njerëzve. Ata i kanë mohuar edhe ato akuza.
Në deklaratën e së martës, kryeprokurori i Floridës tha: “Javën e kaluar, unë e udhëzova zyrën time për të punuar me partnerët tanë në sundimin e ligjit për të kryer një hetim preliminar ndaj Andrew e Tristian Tate-s.”
“Duke u bazuar në një analizë të plotë të dëshmive, unë e kam drejtuar Zyrën e Prokurorisë Mbarështetërore që të ekzekutojë urdhërarreste dhe të lëshojë fletëthirrje në hetimin penal tani aktiv ndaj vëllezërve Tate” – shtoi ai.
Vëllezërit Tate ishin arrestuar në Rumani në dhjetorin e vitit 2022. Andrew akuzohej për përdhunim e për trafikim të njerëzve, ndërsa Tristian dyshohej për trafikim të njerëzve. Ata ishin vendosur në Rumani nga Britania para disa vjetëve.
Të dy i kishin mohuar akuzat dhe kishin qëndruar për disa muaj në arrest shtëpiak. Një vit më von,ë në gushtin e vitit 2024, ata u ballafaquan me akuza të reja, përfshirë marrëdhëniet intime me një të mitur dhe trafikimin e personave të mitur. Të gjitha akuzat i kanë mohuar.
Merret vesh se vëllezërve Tate u është kërkuar që të kthehen në Bukuresht në fund të marsit për t’i plotësuar kushtet e prokurorëve. Megjithatë, është shumë herët të thuhet nëse ata do ta respektojnë këtë kërkesë./Nacionale