ShBA-ja habit shumë njerëz me ambasadën gjigante me 17 hektarë në një shtet të vogël
Një kompleks masiv i ambasadës së re të ShBA-së në Liban është duke shkaktuar kundërthënie për madhësinë e saj në një shtet ku gati 80 për qind e popullsisë janë nën pragun e varfërisë.
E ndodhur rreth 13 kilometra larg qendrës së Beirutit, kompleksi i ambasadës së re amerikane në Liban duket si qytet në vete, raporton televizioni CNN.
Me mbi 17 hektarë sipërfaqe, kompleksi në periferi të Beirutit, në Aëkar, është gati dy herë e gjysmë më i madh se gjerësia e tokës ku ndodhet Shtëpia e Bardhë dhe më i gjerë se 21 fusha futbolli.
Shumë libanezë në rrjete sociale pyetën se pse ShBA-së i nevojitet një ambasadë kaq e madhe në kryeqytetin e tyre. Libani është më i vogël se Connecticut-i dhe ka vetëm gjashtë milionë banorë. Pak turistë amerikanë shkojnë në këtë shtet, pasi Departamenti i Shtetit e ka vënë në nivelin e tretë të udhëzimeve për udhëtim, dhe nuk ka popullsi të madhe të amerikanëve libanezë.
“A është vendosur ShBA-ja në Liban”- shkroi Sandy, aktivist i rrjeteve sociale.

“Ndoshta do të keni hapësirë të mjaftueshme për të punuar për të gjitha ato aplikacione vizash që po presin”- tha Abed A. Ayoub, drejtor ekzekutiv i Komisionit Amerikano-Arab Kundër Diskriminimit.
Sipas pamjeve të bëra me kompjuter e të publikuara nga ambasada, shihet një kompleks shumë modern, me ndërtesa shumëkatëshe e me xhama të klasit të lartë, zona për zbavitje dhe një pishinë të rrethuar me gjelbërim me pamje nga kryeqyteti.
Nga pandemia, te shpërthimi i vitit 2020 në Beirut, Libani është goditur nga disa kriza që e kanë rrënuar ekonominë e vendit. Shumë libanezë nuk mund t’i përballojnë shërbimet dhe produktet themelore, përfshirë ushqimin, ilaçet dhe rrymën.
“Le të hanë beton”- tha një përdorues i rrjeteve sociale.
Planet për kompleksin e ambasadës ishin publikuar më 2015 dhe raportohet se ndërtimi i saj raportohet se do të kushtojë një miliard dollarë.
Shtetet e Bashkuara kanë pasur histori të trazuar me Libanin, vend ku nodhet grupi i përkrahur nga Irani, Hezbollah. Sidoqoftë, të dyja vendet kanë pasur marrëdhënie miqësore.
Muajin e kaluar u shënua 40-vjetori i bombardimit të ambasadës amerikane në Beirut, kur ishin vrarë 63 persona, përfshirë 52 libanezë e punëtorë të ambasadës. Në tetorin e atij viti, një bombë kishte shpërthyer në barakat ku ndodheshin paqeruajtësit amerikanë e francezë, duke vrarë 299 njerëz.