ShBA-ja e Rusia përplasen në OKB për Ukrainën, Kina kërkon bisedime Kiev – Moskë
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, u përplas në një takim të OKB-së të hënën me përfaqësuesit e ShBA-së dhe të përkrahësve të tjerë të Ukrainës. Moska përjashtoi çfarëdo plani të paqes që përkrahet nga Kievi dhe Perëndimi. Ndërkohë, Kina paralajmëroi se kaosi i mëtejmë global mund ta prekë ekonominë botërore.
Kryediplomati rus pretendoi se forcat ukrainase kanë qenë “dështim i plotë” në fushë të betejës dhe se janë “të paafta” që ta mposhtin ose ta dobësojnë Rusinë, raporton agjencia “Associated Press”.
Ai tha në Këshill të Sigurimit të OKB-së se Moska është gjithmonë e gatshme që të bisedojë për paqe, por pretendoi se planet e paqes që janë paraqitur nga Ukraina dhe nga “padronët” e saj perëndimorë “përdoren vetëm si mbulesë për ta vazhduar luftën dhe për të vazhduar që të merren para nga taksapaguesit perëndimorë”.
“Të gjitha këto formula janë rrugë për askund dhe sa më shpejt që Uashingtoni, Londra, Parisi e Brukseli ta kuptojnë këtë, është më mirë për Ukrainën e Perëndimin”- tha Lavrovi, duke paralajmëruar se “kryqëzata [e tyre] kundër Rusisë tashmë ka krijuar rreziqe të reja, të qarta, të reputacionit e të ekzistencës”.
Në anën tjetër, zëvendësambasadori i ShBA-së në OKB, Robert Wood, i hodhi poshtë pretendimet e ministrit rus, duke i cilësuar si “dezinformatë flagrante” dhe duke thënë se ishte pushtimi rus i Ukrainës që e nisi luftën më 24 shkurt 2022 dhe se është “ndjekja e vendosur e shkatërrimit të Ukrainës e nënshtrimit të popullit të saj [nga presidenti rus, Vladimir Putin] që po e zgjatë atë [luftën]”.
“Projektet imperialiste ruse janë të qarta” dhe “për Rusinë, gjithçka tjetër pos kapitullimit – kapitullimi i plotë nga Ukraina është zgjidhja e vetme, dhe kjo thjesht nuk është e pranueshme për komunitetin ndërkombëtar”- shtoi diplomati amerikan, duke theksuar se lufta do të mund të përfundonte nesër, nëse Moska do t’i tërhiqte qindra mijëra trupat nga territori ukrainas i njohur ndërkombëtarisht.
Rusia e thirri takimin e Këshillit të Sigurimit për ta kritikuar përsëri ashpër ndihmën ushtarake perëndimore për Ukrainën. Pak para nisjes së takimit, diplomatët e më shumë se 40 shteteve e rrethuan ambasadorin ukrainas në OKB, Sergiy Kyslytsya, i cili lexoi një deklaratë të përbashkët, në të cilën u theksua “hipokrizia” e Rusisë në kritikat ndaj dërgimit të ligjshëm të armëve për ta ndihmuar Ukrainën që ta mbrojë veten.
Përkrahësit e Ukrainës e cilësuan takimin e së hënës si një përpjekje tjetër të Rusisë "për shpërqendrim nga lufta e saj e agresionit" dhe e dënuan përkrahjen ushtarake për Moskën – dronët nga Irani e raketat nga Koreja Veriore – që përbëjnë shkelje të sanksioneve të OKB-së, si dhe pajisjet ushtarake nga Bjellorusia.
Në takim u dëgjuan edhe shumë thirrje për shtimin e përpjekjeve për paqe dhe pati shqetësim në rritje nga aleatja e Rusisë, Kina, për ashpërsimin e rrezikut ndaj sigurisë globale nga lufta e vazhdueshme në Ukrainë, në të njëjtën kohë kur luftë po zhvillojnë edhe Izraeli e Hamasi në Gaza pas sulmit të befasishëm të grupit militant në jug të Izraelit më 7 tetor.
Ambasadori i Kinës në OKB, Zhang Jun, tha: “Bota nuk mund të bëjë ballë që të shohë përhapje të mëtejme të përleshjeve gjeopolitike në të njëjtën kohë kur ekonomia globale po ngadalësohet.”
Diplomati kinez tha se “sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha shteteve duhet të respektohet”, pikë në të cilën ka këmbëngulur Ukraina e të cilën Rusia e ka shkelur përmes aneksimit të katër rajoneve ukrainase. Megjithatë, Juni e kritikoi Ukrainën për synimin që të anëtarësohet në NATO dhe e paralajmëroi Kievin, pa e përmendur Rusinë, se ky objektiv do t’i thellojë shqetësimet e Moskës për sigurinë.
Më tej, ambasadori i Kinës bëri thirrje për rifillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta Rusi – Ukrainë sa më shpejt që është e mundshme. “Ndikimet negative të krizës së Ukrainës dhe konfliktit palestinezo-izraelit kanë shtuar borë në ekonominë globale akull të ftohtë”- tha ai.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli