ShBA-ja e refuzon thirrjen e Australisë për ta ndalur ndjekjen penale të Julian Assange
Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, i ka kundërshtuar thirrjet e Australisë për t’i dhënë fund ndjekjes penale të Julian Assanges, duke këmbëngulur se themeluesi i faqes “WikiLeaks” dyshohet se “ka rrezikuar që t’i shkaktonte dëm shumë serioz sigurisë kombëtare”.
Pas bisedimeve të nivelit të lartë në Brisbane, të përqendruara kryesisht në bashkërendimin ushtarak, kryediplomati amerikan konfirmoi se qeveria australiane e kishte ngritur këtë çështje me ShBA-në në shumë raste dhe tha se ai i kupton “shqetësimet dhe pikëpamjet e Australianëve”, raporton gazeta “The Guardian”.
Sidoqoftë, ai theksoi se ishte “shumë e rëndësishme që miqtë tanë këtu” në Australi t’i kuptonin shqetësimet e Shteteve të Bashkuara për “rolin e dyshimtë në njërin prej kompromiseve më të mëdha të të dhënave të klasifikuara në historinë e vendit tonë”.
Assange po mbahet në një burg të Londrës, përderisa po lufton kundër përpjekjes së ShBA-së për ta siguruar ekstradimin e tij nga Mbretëria e Bashkuar për t’u ballafaquar me akuza në lidhje me publikimin e qindra mijëra dokumenteve rreth luftërave në Afganistan e Irak si dhe linjave diplomatike.
Ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong, konfirmoi se ajo e kishte ngritur çështjen me zyrtarët amerikanë.
Në një konferencë të përbashkët me homologun amerikan, ajo tha: “Ne i kemi bërë të qartë pikëpamjen tonë se rasti i z. Assange është zgjatur shumë dhe dëshirën tonë që ai të arrijë në një konkluzion dhe ne e kemi thënë këtë publikisht dhe ju do të prisnit që kjo ta pasqyrojë edhe pozicionin që ne e shprehim në mënyrë private.”
Në anën tjetër, sekretari Blinken tha se Departmaneti i Drejtësisë i ShBA-së kishte lënë të kuptohej se Assange është “akuzuar për sjellje kriminale shumë serioze”.
“Veprimet që ai ka pretenduar se i ka kryer kanë rrezikuar dëm shumë serioz ndaj sigurisë tonë kombëtare, për përfitim të armiqve tanë dhe kanë vënë burime njerëzore me emra në rrezik të madh – rrezik të madh – për lëndim fizik dhe në rrezik të madh për ndalim”- tha Blinkeni.
