ShBA-ja e raporton vdekjen e parë të lidhur me gripin e shpezëve H5N1
Një pacient amerikan, i cili ishte shtrirë në spital për shkak të gripit të shpezëve H5N1, ka vdekur, tha të hënën Departamenti i Shëndetësisë në Louisiana të Shteteve të Bashkuara, duke e shënuar vdekjen e parë të raportuar në ShBA nga ky virus.
Pacienti, i cili nuk është identifikuar, ishte shtrirë në spital më 18 dhjetor, pasi u ishte shpërfaqur pulave të kontaminuara dhe zogjve të egër, kishin thënë zyrtarët shëndetësorë në Louisiana, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Pacienti ishte mbi moshën 65-vjeçare dhe kishte probleme të tjera shëndetësore, thanë zyrtarët, duke e vënë atë në rrezik më të lartë për sëmundje serioze.
Gati 70 njerëz në Shtetet e Bashkuara janë infektuar me gripin e shpezëve nga prilli, shumica punëtorë fermash, pasi virusi ka qarkulluar në mesin e shpezëve, sipas Qendrave për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në ShBA.
Zyrtarë federalë e shtetërorë kanë thënë se rreziku ndaj publikut të përgjithshëm mbetet i ulët.
Përhapja e gripit të shpezëve, e cila filloi më 2022, ka mbytur gati 130 milionë shpezë të egra e shtëpiake dhe ka shkaktuar sëmundje në 917 tufa të kafshëve qumështore, sipas Departamentit të Bujqësisë të ShBA-së.
Sipas analizës së virusit që është marrë nga pacienti në Louisiana, virusi i takonte gjenotipit D1.1 – i njëjti lloj që është zbuluar rishtazi në zogj të egër dhe zogj shtëpiakë në shtetin e Uashingtonit si dhe në një rast të rëndë te një adoleshent në Kanada.
Ai dallon nga gjenotipi B3.13, i cili tani për tani është duke qarkulluar në mesin e lopëve qumështore në ShBA dhe që është lidhur kryesisht me simptoma të lehta te rastet njerëzore, përfshirë konjunktivitin./Nacionale/Nasuf Abdyli