ShBA-ja e kryen ekzekutimin e parë të një të dënuari me hipoksi azotike - NACIONALE

ShBA-ja e kryen ekzekutimin e parë të një të dënuari me hipoksi azotike

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shteti i Alabamës në ShBA e ekzekutoi me gaz azotik të dënuarin me vdekje, Kenneth Eugene Smith. Kjo është hera e parë që hipoksia azotike përdoret si metodë ekzekutimi në ShBA.

Smith-i, 58 vjeç, kishte humbur dy apele përfundimtare në Gjykatën Supreme dhe në një gjykatë federale të apelit. Avokatët e tij kishin argumentuar se ky lloj ekzekutimi është ndëshkim mizor dhe i pazakontë, raporton televizioni BBC.

Në vitin 2022, autoritetet në Alabama kishin dështuar që ta ekzekutonin Smith-in me injeksion vdekjeprurës, sepse nuk kishin mundur t’i gjenin një venë para skadimit të afatit të urdhrit për ekzekutim.

Ai ishte shpallur fajtor për vrasjen e gruas së quajtur Elizabeth Sennet në vitin 1989. Kjo ishte vrasje me porosi, me pagesë.

Sipas Qendrës për Informim rreth Dënimit me Vdekje, Smith-i është personi i parë që ekzekutohet përmes gazit azotik jo vetëm në ShBA, por edhe në botë.

Alabama dhe dy shtete të tjera të ShBA-së e kanë miratuar përdorimin e hipoksisë azotike si metodë alternative për ekzekutimin e të dënuarve me vdekje, sepse substancat që përdoren në injeksionet vdekjeprurëse është bërë më vështirë që të gjenden. Kjo ka ndikuar që të bjerë numri i përgjithshëm i ekzekutimeve në ShBA.

Pesë punëtorë të mediave u dërguan në qendrën korrektuese “Holman” në Atmore për të qenë dëshmitarë të ekzekutimit të të dënuarit Smith.

“Sonte Alabama bën që humaniteti të bëjë një hap prapa. Faleminderit që më keni përkrahur. Ju dua të gjithëve”- tha Smith-i, sipas dëshmitarëve.

Pas fillimit të qarkullimit të gazit në maskën e vendosur në fytyrën e tij, i dënuari thuhet të ketë buzëqeshur, të ketë bërë me shenjë nga familja e tij, duke e dhënë shenjën që e ka kuptimin “ju dua”.

Dëshmitarët vëzhguan dy deri në katër minuta të përpëlitjes dhe rreth pesë minuta të frymëmarrjes së rënduar para se ai të shpallej i vdekur në orën 20 e 25 minuta sipas kohës lokale.

Thithja e azotit pa oksigjen e shkakton shkatërrimin e qelizave në trup dhe e sjell vdekjen.

Guvernatorja e Alabamës, Kay Ivey, e cila nuk iu përgjigj një kërkese për të marrë pjesë në procesin e ekzekutimit, e konfirmoi vdekjen e Smith-it përmes një deklarate.

“Pas më shumë se 30 vjetëve e përpjekje pas përpjekjeje për ta sprovuar sistemin, z. Smith është përgjigjur për krimet e tij të tmerrshme”- tha guvernatorja Ivey.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme