ShBA-ja e fton për vizitë kryediplomatin e ri – dhe të vjetër – kinez, Wang Yi
Shtetet e Bashkuara e kanë ftuar për vizitë zyrtare në Uashington ministrin e ri – dhe të vjetër - të Punëve të Jashtme të Kinës, Wang Yi. Po e quajmë ministër të ri dhe të vjetër, sepse ai edhe më parë e ka mbajtur këtë post dhe u riemërua rishtazi.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të ShBA-së, Matthew Miller, u tha gazetarëve të mërkurën se Uashingtoni e ka bërë ftesën për vizitë për zyrtarin e lartë kinez gjatë një takimi të zyrtarëve amerikanë dhe kinezë në kryeqytetin amerikan, raporton agjencia “Anadolu”.
Megjithatë, ai theksoi se ende nuk është përcaktuar data e vizitës, sipas hollësive që dolën nga një konferencë për gazetarë.
Daniel Kritenbrink, asistent i sekretarit për çështje të Azisë Lindore dhe Paqësorit, të martën u takua në Uashington me Yang Tao-n, drejtor i përgjithshëm për çështje të Amerikës Veriore dhe Oqeanisë në Ministrinë e Jashtme të Kinës.
Komunikimi i nivelit të lartë mes Uashingtonit dhe Pekinit ka rinisur javëve të fundit, kur të dyja vendet po bëjnë lëvizje të qarta për stabilizimin e marrëdhënieve dypalëshe.
“Ne e paraqitëm ftesën që i ishte bërë më parë ministrit të Jashtëm, Qin Gang, dhe bëmë të qartë se ftesa vlen përsëri (për ministrin e ri)”- tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
Gang-u u largua nga pozita e kryediplomatit kinez muajin e kaluar pas disa muajve të zhdukjes së pazakonshme nga paraqitjet publike, duke ngritur pyetje për vendndodhjen e tij.
Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, sekretarja e Thesarit, Janet Yellen, dhe emisari për klimën, John Kerry, ishin tre zyrtarë të lartë amerikanë që e vizituan Pekinin në dy muajt e kaluar.
