Kina e largon nga detyra ministrin e Jashtëm pas mungesës së pashpjegueshme - NACIONALE

Kina e largon nga detyra ministrin e Jashtëm pas mungesës së pashpjegueshme

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kina e ka larguar nga detyra e ministrit të Jashtëm Qin Gang-un pas më pak se shtatë muajve nga dita e emërimit.

Ai shihej si bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit Xi Jinping. Pozitën e tij tani do ta marrë shefi i punëve të jashtme i Partisë Komuniste, Wang Yi, raporton televizioni BBC.

Zhdukja e gjatë e Gang-ut nga publiku dhe heshtja zyrtare për këtë ka nxitur spekulime. Angazhimet e fundit publike të 57-vjeçarit ishin më 25 qershor. Nuk është dhënë ndonjë arsye për largimin e tij.

Ai ishte emëruar si kryediplomat nga presidenti kinez në dhjetorin e vitit të kaluar. Largimi i tij i jep fund hutisë që zgjati disa javë, por lë shumë pyetje pa përgjigje.

“Legjislatura më e lartë e Kinës votoi për ta emëruar Wang Yi-në si ministër të Jashtëm. Qin Gang u largua nga posti i ministrit të Jashtëm”- raportoi agjencia shtetërore kineze e lajmeve, “Xinhua”.

Sipas sistemit të Partisë Komuniste të Kinës, politika e jashtme hartohet nga një zyrtar i nivelit të lartë, i cili më pas e udhëzon ministrin e Punëve të Jashtme për ta zbatuar atë.

Wang Yi do të kthehet në pozitën që e ka mbajtur në periudhën 2018 – 2022. Tash për tash, ai ndodhet në Afrikën e Jugut për të marrë pjesë në një takim për sigurinë kombëtare.

Kur Gang-u ishte zhdukur nga angazhimi zyrtar para një muaji dhe nuk kishte marrë pjesë në një samit në Indonezi, shpjegimi shumë i shkurtër zyrtar ishte që ai kishte probleme të pasaktësuara shëndetësore.

Megjithatë, mungesa e ndonjë hollësie nga ministria e tij shkaktoi spekulime se ai po ndëshkohej qoftë për arsye politike, qoftë për shkak të një afere jashtëmartesore.

Lajme të ngjashme