ShBA-ja do të formojë task-forcë për inteligjencën artificiale
Sekretari i Departamentit për Sigurinë e Atdheut të ShBA-së, Alejandro Mayorkas, tha të premten se ky institucion do të formojë një task-forcë për të zbuluar se si të shfrytëzohet inteligjenca artificiale për të bërë shumë gjëra, nga mbrojtja e infrastrukturës te skanimi i mallrave e zbulimi i prodhimeve që bëhen përmes punës së skllavërisë.
Përderisa inteligjenca artificiale nuk është gjë e re, popullariteti i papritur i programit "ChatGPT" në muajt e fundit i ka nxitur zyrtarët përreth botës që të hulumtojnë se si të përdoret më së miri kjo teknologji për qëllime pozitive dhe si të parandalohet kryerja e aktiviteteve kriminale e përhapja e dezinformatave përmes saj, raporton agjencia "Reuters".
Zyrtari i lartë amerikan tha se kjo teknologji do ta ndryshojë në mënyrë drastike peizazhin e rreziqeve, duke shtuar: "Departamenti ynë do të prijë në përdorimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale për ta siguruar atdheun dhe për t'u mbrojtur kundër përdorimit dashakeq të kësaj teknologjie transformuese."
Sipas tij, task-forca për inteligjencë artificiale do të eksplorojë se si kjo teknologji do të mund të përdoret për të bërë punë më të mirë gjatë kryerjes së proceseve të ndryshme, si skanimi i mallrave të ndaluara, përfshirë fentanilin ose prodhimet e përgatitura përmes punës së skllavërisë.
Sekretari Mayorkas bëri thirrje që inteligjenca artificiale të përdoret edhe për sigurimin e rrjetit energjetik dhe sistemeve për furnizim me ujë, sepse ekziston frika që të dyja mund të jenë në shënjestër të armiqve.
Ai tha të enjten se task-forca e re mund ta hulumtojë edhe potencialin që inteligjenca artificiale të përdoret për qëllime të dëmshme dhe të zbulohen mënyra për t'u mbrojtur nga to. Zyrtari shtoi se secila nismë për ta rregulluar inteligjencën artificiale me ligj duhet të gjejë një "pikë të ëmbël", ku autoritetet do të mund të zhvillonin masa pa e shtypur inovacionin.
Sipas tij, inteligjenca artificiale është ende në "fazë të porsalindur" dhe se është shumë herët që të thuhet nëse dëmet e saj i tejkalojnë të mirat.
"Fuqia (e inteligjencës artificiale) është e jashtëzakonshme"- tha sekretari i Departamentit për Sigurinë e Atdheut.

