ShBA-ja do ta fillojë menjëherë largimin e rreth 1.000 ushtarëve transgjinorë - NACIONALE

ShBA-ja do ta fillojë menjëherë largimin e rreth 1.000 ushtarëve transgjinorë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pentagoni do të largojë 1.000 pjesëtarë të ushtrisë, të cilët identifikohen haptas si transgjinorë, ndërsa do t’u japë afat 30 ditë që të largohen atyre që ende nuk janë identifikuar haptas si të tillë, sipas një udhëzimi të lëshuar të enjten.

Dokumenti është nxitur nga vendimi i së martës i Gjykatës Supreme, i cili ia lejon administratës së presidentit Donald Trump zbatimin e ndalimit të transgjinorëve në ushtri. Departamenti i Mbrojtjes ka thënë se do ta pasojë vendimin duke i analizuar të dhënat mjekësore për t’i identifikuar të tjerët që nuk janë paraqitur, raporton gazeta “The Guardian”.

Dokumenti i lëshuar të enjten është pasqyrë e një tjetri të lëshuar në shkurt, por veprimet kishin ngecur për shkak të paraqitjes së disa padive. Kur kishte dalë më herët këtë vit udhëzimi nga Pentagoni, ushtarëve u ishte dhënë afat prej 30 ditësh për t’u vetidentifikuar. Nga ajo kohë, rreth 1 mijë kanë bërë një gjë të tillë.

Në një deklaratë, zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, tha se 1 mijë trupa që tashmë janë vetidentifikuar “do ta fillojnë procesin vullnetar të ndarjes” nga ushtria.

Rae Timberlake, zëdhënës i grupit “Sparta Pride”, është njëri nga 1 mijë ushtartë që kanë vendosur të vetidentifikohen. Timberlake ka shërbyer në forcat detare për 17 vjet dhe tha se anëtarët transgjinorë të ushtrisë që nuk e shfrytëzojnë ofertën e tanishme mund t’i humbin përfitimet që i kanë siguruar me vite shërbim.

Pavarësisht vendimit të Timberlake-t për t’u larguar nga ushtria, ky ushtar tha se shumë trupa transgjinore do ta vazhdonin shërbimin në forcat e armatosura, nëse kjo u lejohet.

Lajme të ngjashme