ShBA-ja dhe Ukraina do të nënshkruajnë pakt 10-vjeçar të sigurisë në samitin e G7-s
Presidentët Joe Biden i ShBA-së dhe Volodymyr Zelensky i Ukrainës do të nënshkruajnë një marrëveshje dypalëshe 10-vjeçare të sigurisë gjatë samitit të Grupit G7 në Itali, përderisa në margjina vazhduan argumentet se si perëndimi do të mund t’i ofronte Kievit një hua prej 50 miliardë dollarësh.
Ukraina ka nënshkruar 15 marrëveshje dypalëshe të sigurisë me shtete të tjera që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në vitin 2022, përfshirë Britaninë, Francën, Gjermaninë dhe Italinë. Në marrëveshjen mes Uashingtonit dhe Kievit nuk kërkohet autorizimi i Kongresit dhe mund të zhbëhet nga administrata e mundshme në ardhje e republikanit Donald Trump.
Bideni më parë ka thënë se garancitë për Ukrainën do të ishin të barasvlershme me ato për Izraelin, duke e mbuluar asistencën financiare dhe ushtarake si dhe mundësinë e prodhimit të përbashkët të armëve, raporton gazeta "The Guardian".
Dy presidentët do të mbajnë një konferencë për gazetarë më vonë të enjten, ku pritet të jenë në fokus dallimet rreth afatit për synimin e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO dhe dërgimi i trajnuesve të huaj ushtarakë brenda territorit ukrainas.
Të enjten, Ukraina do të nënshkruajë një marrëveshje dypalëshe edhe me Japoninë.
“Dokumenti me Shtetet e Bashkuara do të jetë i pashembullt, siç duhet të jetë për udhëheqësit që e përkrahin Ukrainën” – tha Zelensky.
Njësoj si në paktet e tjera dypalëshe, marrëveshja me ShBA-në nuk do t’i kërkojë Uashingtonit që t’i dalë në mbrojtje Ukrainës, nëse kjo sulmohet. Megjithatë, një dokument i tillë mund t’ia bëjë më të lehtë Ukrainës hyrjen në bisedime të paqes me Rusinë, pasi Kievi do të ketë ca garanci për ndihmën që do të pranonte në rast të një sulmi të ri rus.