ShBA-ja dhe Irani nuk arrijnë marrëveshje paqeje pas 21 orësh bisedime
Zëvendëspresidenti JD Vance tha të dielën se 21 orë bisedime paqeje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kishin dështuar në gjetjen e një marrëveshjeje për t'i dhënë fund luftës, duke e lënë të pasigurt fatin e një armëpushimi të brishtë dyjavor dhe lënë pikëpyetje nëse Presidenti Trump do të rifillojë operacionet e mëdha luftarake.
"Ata kanë zgjedhur të mos i pranojnë kushtet tona," - tha z. Vance në një konferencë të shkurtër për media në Islamabad, Pakistan, ndonëse ai e la të hapur mundësinë që kushtet megjithatë mund të arriheshin.
Mungesa e një përparimi pas 21 orësh negociata e lë administratën e Trump përballë disa opsioneve të vështira e të pakëndshme, sipas The New York Times.
Dështimi i Zëvendëspresidentit JD Vance për të fituar lëshimet e kërkuara nga Shtetet e Bashkuara ndaj Iranit në një seancë të vetme maratonë negociatash mbi programin e tij bërthamor nuk ishte një befasi.
Çka ndodh tash?
The Times shkruan se dështimi e lë administratën e Trump përballë disa opsioneve të pakëndshme: Negocimi i gjatë me Teheranin mbi të ardhmen e programit të tij bërthamor, ose rifillimi i një lufte e cila tashmë ka shkaktuar ndërprerjen më të madhe të energjisë në kohët moderne, dhe perspektivën e një lufte të gjatë mbi atë se kush do të kontrollojë Ngushticën e Hormuzit.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se lëvizja e radhës e administratës do të njoftohet nga vetë Presidenti Trump, i cili udhëtoi drejt Floridës në këtë fundjavë për të ndjekur një ndeshje të UFC-së (Ultimate Fighting Championship). Por secila prej këtyre rasteve mbart të meta tepër të rëndësishme strategjike dhe politike.
Z. Vance tha pak mbi atë që ndodhi gjatë më shumë se 21 orëve negociatave, duke sugjeruar që ai ua kishte dorëzuar iranianëve një propozim "merre ose lëre" për t'i dhënë fund përgjithmonë programit të tyre bërthamor, dhe ata e lanë.
"Ne i kemi bërë shumë të qarta vijat tona të kuqe," u tha z. Vance gazetarëve, "si dhe gjërat ku ne jemi të gatshëm të bëjmë lëshime atyre." Ai gjithashtu shtoi: "Ata kanë zgjedhur të mos i pranojnë kushtet tona."
Në këtë këndvështrim, The Times shkruan se kjo negociatë duket se ndryshon pak nga ajo që përfundoi në një ngërç të plotë në Gjenevë në fund të shkurtit, e cila e shtyu z. Trump të urdhërojë atë që u bë si një luftë 38 ditore sulmesh me raketa dhe bombardime nëpër Iran, që synonin rezervat e tij të raketave, bazat e tij ushtarake dhe bazën industriale brenda Iranit që prodhon armatime të reja.
Por basti i z. Trump, një skenar të cilin ai e ka përshkruar disa herë gjatë muajit të kaluar, ishte se Irani do të ndryshonte mendje sapo të përballej me një demonstrim masiv të forcës ushtarake amerikane, me më shumë se 13,000 objektiva të goditura, sipas Pentagonit. Iranianët, nga ana e tyre, ishin të vendosur të tregonin se asnjë sasi e municioneve amerikane nuk do t'i detyronte ata të tërhiqeshin.
"Humbja e rëndë e pleqve tanë të mëdhenj, njerëzve të dashur dhe bashkatdhetarëve tanë e ka bërë përgjigjen tonë për të ndjekur interesat dhe të drejtat e kombit iranian edhe më të palëkundur se kurrë më parë," theksoi ministria e jashtme e Iranit në një deklaratë ndërsa z. Vance iu drejtua një aeroporti ushtarak për t'u larguar drejt shtëpisë, duarbosh për momentin.
Ndoshta kjo do të ndryshojë, sipas The Times. Por frika e administratës nga të qenit e tërhequr brenda një bisede të ndërlikuar dhe të gjatë me Iranin theksohet dukshëm. Z. Trump beson se ai ka dalë fitimtar nga konflikti, shkruan mediumi amerikan, dhe për këtë arsye, ashtu siç u shpreh i dërguari i posaçëm Steve Witkoff, Irani thjesht duhet "të kapitullojë".