ShBA-ja dhe BE-ja i premtojnë Armenisë përkrahje të vazhdueshme
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të vazhdojnë që t’i përkrahin Armeninë dhe armenët etnikë nga rajoni i kontestuar i Nagorno-Karabakut, u zotuan udhëheqës të lartë nga të dyja anët e brigjeve të Atlantikut gjatë një takimi me kryeministrin armen, Nikol Pashinyan, të premten në Bruksel.
Azerbajxhani e mori kontrollin e rajonit separatist në shtator të vitit të kaluar, duke nxitur eksod masiv të popullsisë etnike armene, raporton agjencia “Reuters”.
“Ne jemi të përkushtuar që ta shtojmë më tej përkrahjen tonë për qëndrueshmërinë demokratike dhe ekonomike të Armenisë” – tha sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, duke shtuar se Uashingtoni po i mbështet përpjekjet e këtij shteti për më shumë siguri ushqimore, infrastrukturë digjitale dhe diversifikim të sektorit të energjisë.
“Dhe ne do të vazhdojmë që t’i përkrahim 100 mijë armenët etnikë të zhvendosur nga rajoni i Nagorno-Karabakut. Kjo është qendrore për stabilitetin afatgjatë të Armenisë” – shtoi kryediplomati amerikan.
Duke folur para gazetarëve, pranë Blinkenit dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se integrimi ekonomik mes shteteve në rajonin e Kaukazit Jugor – sidomos në sektorët e energjisë dhe telekomunikimit – është jetik për sigurimin e stabilitetit të zonës.