SHBA do ta ketë Grenlandën “në një mënyrë apo tjetër”, thotë Trump
Presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur gjatë natës se SHBA do ta marrë Grenlandën “në një mënyrë apo tjetër” dhe ka theksuar se përndryshe Rusia dhe Kina do të lëviznin për ta marrë territorin, shkruan The Guardian.
Duke folur me gazetarët në bordin e Air Force One, Trump tha se në parim është i hapur për të bërë një marrëveshje për Grenlandën, por këmbënguli se “në një mënyrë apo tjetër, ne do ta kemi Grenlandën”.
“Nëse ne nuk e marrim Grenlandën, Rusia ose Kina do ta marrin, dhe unë nuk do ta lejoj që kjo të ndodhë,” tha ai, pavarësisht se nuk ka ndonjë interes të dukshëm nga asnjëra prej këtyre dy vendeve për ta pretenduar territorin.
Trump gjithashtu u tall me mbrojtjen e Grenlandës, duke thënë se ajo përbëhet nga “dy slita me qen”, përballë anijeve shkatërruese dhe nëndetëseve ruse dhe kineze “kudo përreth”.
I pyetur për ndikimin e mundshëm mbi NATO-n, Trump e minimizoi çështjen duke thënë:
“Nëse ndikon te NATO, atëherë ndikon te NATO. Por e dini, ata kanë nevojë për ne shumë më tepër sesa ne kemi nevojë për ta.”
Ai gjithashtu pretendoi se e kishte “shpëtuar” aleancën duke shtyrë për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe tha se po punonte për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës.