Shakaja u shkoi keq, nxënësi e godet për vdekje me veturë mësuesin e vet në ShBA - NACIONALE

Shakaja u shkoi keq, nxënësi e godet për vdekje me veturë mësuesin e vet në ShBA

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Një mësues i një shkolle të mesme në Georgia të Shteteve të Bashkuara u godit për vdekje me veturë afër shtëpisë së tij, kur një shaka me letër tualeti, e planifikuar nga nxënësit e tij, shkoi keq, thanë zyrtarët amerikanë.

Jason Hughes, 40 vjeç, doli nga shtëpia për t’i befasuar nxënësit e tij që po vendosnin letra tualeti në drurë si pjesë e një shakaje, raporton televizioni BBC.

Megjithatë, mësuesi mori në thua dhe u rrëzua në tokën e rrëshqitshme për shkak të shiut dhe, përderisa nxënësit po mundoheshin që të iknin nga vendi me dy vetura, ai u godit pa dashje nga vozitësi i njërës veturë, tha policia.

Nxënësit që ishte duke e vozitur veturën është akuzuar për vrasje me automjet, por familja e mësuesit thotë se dëshiron që kjo akuzë të hidhet poshtë.

Në një deklaratë për gazetën “The New York Times”, Laura Hughes, bashkëshortja e mësuesit tashmë të ndjerë, e cila gjithashtu ishte instruktore në shkollën e njëjtë, tha se nxënësit e donin bashkëshortin e saj.

Ajo tha se bashkëshorti ishte në dijeni për shakanë e përgatitur nga nxënësit dhe “po priste që t’i kapte në akt”.

Nxënësi që po e voziste veturën, i identifikuar si 18-vjeçari Jayden Ryan Wallace, dhe dy të tjerë u ndalën dhe u përpoqën që ta ndihmonin mësuesin para se të arrinte autoambulanca e ta dërgonte në spital, tha policia lokale.

“Kjo është një tragjedi e tmerrshme dhe familja jonë është e vendosur që të parandalojë një tragjedi tjetër, që do ta shkatërronte jetën e këtyre nxënësve. Kjo do të ishte në kundërshtim me përkushtimin tërëjetësor të Jasonit për investim në jetën e këtyre fëmijëve” – tha familja e mësuesit./Nacionale

Lajme të ngjashme