ShBA tronditet nga vala masive e të shtënave me armë brenda një muaji
Tre të shtëna masive me armë në ShBA gjatë fundjavës së festave të Pashkëve mbuluan një valë njëmujore të dhunës me armë që ka prekur qytetet e mëdha dhe komunitetet e vogla rurale në të gjithë vendin.
Associated Press shkruan se, të shtënat me armë zjarri kanë tronditur qendra të mëdha të popullsisë si Dallas, Pittsburgh dhe Sacramento, Kaliforni, si dhe komunitete shumë më të vogla, duke përfshirë Hampton County, Karolina e Jugut, e cila ka një popullsi prej 18,000 peronash dhe Dumas, Arkansas, e cila është shtëpia e rreth 4,000 njerëzve.
Këto janë disa nga të gjuajtjet kryesore që ndodhën për një muaj:
DALLAS, 19 mars
Dhjetë persona u qëlluan në një festë pranverore për adoleshentët në Dallas dhe disa të tjerë u plagosën ndërsa u përpoqën t'i shpëtonin kaosit. Një nga të plagosurit, një 18-vjeçar, ka ndërruar jetë nga plagët e marra. Të shtënat me armë kanë ndodhur në vendin e ngjarjes The Space Dallas.
DUMAS, Arkansas, 19 mars
Më shumë se dy duzina njerëz u plagosën dhe një burrë u vra kur dy persona u përplasën me armë gjatë një shfaqjeje makinash që është pjesë e një ngjarjeje vjetore të vendit. Kalimtarët e pafajshëm u plagosën me armë zjarri, mes tyre disa fëmijë, dy prej të cilëve ishin nën moshën 2 vjeç, tha Koloneli i Policisë së Shtetit të Arkansas, Bill Bryant.
DALLAS, 3 prill
Një person u vra dhe 15 të tjerë u plagosën nga të shtënat me armë zjarri gjatë një koncerti të hapur në natyrë. Viktimat ishin të moshës 13 deri në 29 vjeç, tha shefi i policisë së Dallasit, Eddie Garcia. Një person qëlloi me armë në ajër, më pas shpërtheu një debat dhe një person tjetër qëlloi në drejtim të turmës, tha Garcia.
SACRAMENTO, Kaliforni, 3 prill
Gjashtë persona u vranë dhe 12 u plagosën jashtë lokaleve të vendosura disa blloqe larg Kapitolit të shtetit në një përleshje me armë nga bandat rivale, tha policia e Sacramento. Më shumë se 100 të shtëna me armë zjarri u dëgjuan nëpër rrugë ndërsa klientët e tmerruar vrapuan për të shpëtuar jetët e tyre dhe disa të tjerë u goditën nga plumbat. Policia tha se ka identifikuar të paktën pesë persona të armatosur, por mund të ketë pasur edhe më shumë.
CEDAR RAPIDS, Iowa, 10 prill
Gjuajtje me armë brenda një klubi nate të mbushur me njerëz në Cedar Rapids la të vdekur një burrë dhe një grua, ndërsa u plagosën 10 të tjerë. Policia tha se brenda klubit ndodheshin më shumë se 100 persona.
NEW YORK CITY, 12 Prill
Një person i armatosur ndezi bomba tymi dhe hapi zjarr në një vagon të metrosë të mbushur me njerëz në Brooklyn, duke plagosur 10 udhëtarë dhe duke lënë vagonin e trenit dhe një platformë metroje të spërkatur në gjak. Pas një kërkimi prej 30 orësh, policia arrestoi një të dyshuar pranë një McDonald's në Loëer East Side të Manhattan.
COLUMBIA, Karolina e Jugut, 16 prill
Një person i armatosur hapi zjarr në një qendër tregtare në kryeqytetin e Karolinës së Jugut, duke plagosur nëntë persona. Pesë persona të tjerë u plagosën teksa po përpiqeshin të largoheshin nga qendra Columbiana. Viktimat ishin të moshave nga 15 deri në 73 vjeç. Hetuesit besojnë se personat përgjegjës e njihnin njëri-tjetrin.
HAMPTON COUNTY, Karolina e Jugut, 16 prill
Një gjuajtje tjetër me armë në një klub nate plagosi të paktën nëntë persona. Sulmi ndodhi në Cara's Lounge në Hampton County. Qarku Hampton ndodhet rreth 130 kilometra në perëndim të Charleston.
PITTSBURGH, 17 prill
Dy adoleshentë u vranë dhe të paktën tetë persona u plagosën gjatë një feste ku shpërthyen të shtënat me armë. Shefi i policisë së Pittsburgh, Scott Schubert tha se kishte të shtëna me armë brenda dhe jashtë shtëpisë së marrë me qira për festën.