SHBA-ja do t’i dërgojë Ukrainës sisteme më të avancuara raketore
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka konfirmuar se vendi i tij do t’i dërgojë Ukrainës sisteme më të avancuara raketore, armë kritike të cilat i kanë kërkuar udhëheqësit ukrainas në kohën e përpjekjeve për ta ndalur përparimin e forcave ruse në rajonin Donbas.
Sistemet raketore me rreze të mesme veprimi janë pjesë e pakos së re të ndihmave ushtarake prej 700 milionë dollarësh për Ukrainën nga ShBA-ja, në të cilën do të përfshihen edhe helikopterë, armë anti-tank “Javelin” e automjete taktike, sipas dy zyrtarëve të lartë të administratës amerikane.
Në një shkrim të publikuar të martën në gazetën “New York Times”, Bideni tha se pushtimi rus i Ukrainës do të përfundojë përmes diplomacisë, por se Shtetet e Bashkuara duhet të ofrojnë armë dhe municion të konsiderueshëm për t’ia dhënë Ukrainës pozicionin më të lartë në tavolinën e bisedimeve.
“Prandaj kam vendosur që ta furnizojmë Ukrainën me sisteme raketore dhe municione më të avancuara, që do t’i mundësojnë që të sulmojë me saktësi më të madhe caqe kyçe në fushëbetejë”, shkroi presidenti amerikan.
Vendimi i Shteteve të Bashkuara erdhi pasi guvernatori i provincës Luhansk të Ukrainës, Serhiy Gaidai, tha se forcat ruse e kanë marrë kontrollin e shumicës së qytetit lindor, Sievierodonetsk./Nacionale