Serbia e ndalon vajzën që u tall me masakrën e shkollës dhe e lavdëroi sulmuesin në TikTok
Një vajzë që e ka incizuar veten në aplikacionin “TikTok” duke u tallur me masakrën që ndodhi para disa ditëve në një shkollë të Beogradit dhe duke e lavdëruar sulmuesin, është dërguar në ndalim policor për intervistë informuese në Serbi.
Pasi e ndaluara është e mitur, akuzat për këtë rast do të paraqiten kundër prindërve të saj, tha Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, raporton mediumi N1.
Ky nuk është reagimi i vetëm i të rinjve serbë pas sulmit në shkollën “Vladislav Ribnikar” në Beograd.
Ditën kur tetë nxënës dhe një rojë u vranë në këtë shkollë, doli në publik një video ku fëmijët shiheshin duke “luajtur”, duke e simuluar sulmin me armë ndaj shokëve në klasë.
Në rrjete sociale, disa fëmijë u tallën për vdekjen e nxënësve dhe e lavdëruan sulmuesin.
Në shumë komente në rrjete sociale, bashkëmoshatarët e sulmuesit e kanë cilësuar tragjedinë si pozitive, duke e quajtur perandor.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se autoritetet kanë bërë 25 ndërhyrje të enjten “për shkak të sjelljes së tmerrshme të të rinjve duke e imituar vrasësin dhe 20 raportime të rreme”.
Ai njoftoi se 45 mijë profile që “i pëlqejnë vrasësit” do të kontrollohen në rrjete sociale.
