Serbia bëhet operatori i parë i raketave kineze në Evropë, merr nga Kina një sistem të sofistikuar kundërajor - NACIONALE

Serbia bëhet operatori i parë i raketave kineze në Evropë, merr nga Kina një sistem të sofistikuar kundërajor

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Mes shqetësimeve perëndimore se një grumbullim i armëve në Ballkan në kohën e luftës në Ukrainë mund të kërcënojë paqen e brishtë në rajon, këtë fundjavë në një operacion të fshehtë, Serbia ka pranuar një sistem të sofistikuar kundërajror kinez.

Mediat dhe ekspertët ushtarakë thanë të dielën se gjashtë avionë transporti Y-20 të Forcave Ajrore Kineze u ulën në aeroportin civil të Beogradit mëngjesin e së shtunës, duke raportuar se në avionë ndodheshin sisteme raketore tokë-ajër HQ-22 për ushtrinë serbe.

Sipas Associated Press, avionët kinezë të mallrave me shenja ushtarake janë fotografuar në aeroportin Nikola Tesla të Beogradit.

Dorëzimi i armëve mbi territorin e të paktën dy vendeve anëtare të NATO-s, Turqisë dhe Bullgarisë, u pa nga ekspertët si një demonstrim i shtrirjes globale në rritje të Kinës.

Ndërkohë, edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha të shtunën se ditën e martë ose të mërkurë ai do të paraqesë “krenarinë më të re” të ushtrisë serbe.

Edhe pse Serbia ka votuar në favor të rezolutave të OKB-së që dënojnë sulmet e përgjakshme ruse në Ukrainë, ajo ka refuzuar t'i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër aleatëve të saj në Moskë ose të kritikojë drejtpërdrejt mizoritë e dukshme të kryera nga trupat ruse atje.

Në vitin 2020, zyrtarët amerikanë paralajmëruan Beogradin kundër blerjes së sistemeve kundërajrore HQ-22, versioni i eksportit i të cilit njihet si FK-3. Ata thanë se nëse Serbia vërtet dëshiron t'i bashkohet Bashkimit Evropian dhe aleancave të tjera perëndimore, ajo duhet të harmonizojë pajisjet e saj ushtarake me standardet perëndimore.

Sistemi i raketave kineze është krahasuar gjerësisht me sistemet e raketave amerikane Patriot dhe ato ruse S-300. Më këtë dërgesë ngë Kina, Serbia do të bëhet operatori i parë i raketave kineze në Evropë.

Kujtojmë se Serbia, vend i cili po kërkon zyrtarisht anëtarësimin në BE, në vitet 1990 ishte në luftë me fqinjët e saj, ndërsa tashmë ka rritur forcat e saj të armatosura edhe me armë ruse dhe kineze, duke përfshirë avionë luftarakë, tanke luftarake dhe pajisje të tjera.

Në vitin 2020, ajo pranoi dronët luftarakë Chengdu Pterodactyl-1, të njohur në Kinë si Wing Loong, të cilët janë në gjendje të godasin objektivat me bomba dhe raketa si dhe mund të përdoren për detyra zbulimi.

Në Perëndim ekziston frika se armatosja e Serbisë nga Rusia dhe Kina mund të inkurajojë vendin ballkanik drejt një lufte tjetër, veçanërisht kundër Kosovës që shpalli pavarësinë në vitin 2008. E ndërsa pavarësia e Kosovës njihet nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve perëndimore, ajo ende nuk njihet nga Serbia, Rusia dhe Kina.

Lajme të ngjashme