Senati i ShBA-së e rrëzon përpjekjen e senatorit Paul për t’ia bllokuar Turqisë blerjen e aeroplanëve F-16
Senati i Shteteve të Bashkuara të enjten mposhti bindshëm një përpjekje të senatorit republikan, Rand Paul, për ta ndalur shitjen e aeroplanëve luftarakë F-16 dhe pjesëve për modernizimin e tyre në Turqi, të cilën administrata e presidentit Biden e kishte miratuar, pasi Ankaraja ia kishte dhënë dritën e gjelbër hyrjes së Suedisë në NATO.
Senatorët votuan me 79 vota kundër rezolutës për shfuqizimin e shitjes miliardëshe, ndërsa vetëm 13 ligjvënës amerikanë në dhomën e lartë të Kongresit e përkrahën atë, raporton agjencia “Reuters”.
Para procesit të votimit, senatori Paul e kritikoi Qeverinë e Turqisë dhe tha se lejimi i kësaj shitjeje do ta trimëronte “sjelljen e keqe” të saj. Megjithatë, përkrahësit e shitjes thanë se është e rëndësishme që Uashingtoni ta mbajë fjalën para aleates së NATO-s.
Administrata e Bidenit zyrtarisht e njoftoi Kongresin më 26 janar për qëllimin e saj që të vazhdonte tutje me shitjen e 40 aeroplanëve F-16 dhe gati 80 pakove të modernizimit në Turqi, një ditë pasi Ankaraja e kompletoi plotësisht ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO.
Shitja e këtyre aeroplanëve ishte mbajtur pezull me muaj për disa çështje, përfshirë refuzimin e Turqisë për ta miratuar hyrjen e Suedisë në aleancën ushtarake. Turqia fillimisht e kishte kërkuar blerjen e tyre në tetor të vitit 2021.
Akti për Kontrollimin e Eksportit të Armëve ia jep të drejtën Kongresit për të ndalur shitje të rëndësishme të armëve përmes miratimit të një rezolute kundërshtuese në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve. Edhe pse ky ligj ka qenë në fuqi për gjysmë shekulli, asnjë rezolutë e tillë nuk është miratuar në Kongres dhe nuk i ka mbijetuar një vetoje nga presidenti.
Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës më 2022. Përderisa Finlanda u bë pjesë e aleancës vitin e kaluar, hyrja e Suedisë ishte mbajtur pezull nga Turqia dhe Hungaria. Të dyja këto shtete tashmë ia kanë dhënë dritën e gjelbër edhe Stokholmit.