Senati amerikan e miraton projektligjin e parë për kontrollin e armëve pas disa dekadave
Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar një projektligj për kontrollimin e armëve, që është legjislacioni më i rëndësishëm për armët e zjarrit në gati 30 vjet.
Ky veprim erdhi pas sulmeve masive muajin e kaluar në Buffalo të Nju Jorkut dhe në një shkollë fillore në Uvalde të Teksasit, ku u vranë gjithsej 31 njerëz.
Projektligji duhet të kalojë edhe në Dhomën e Përfaqësuesve për votim para se të mund të nënshkruhet nga presidenti Joe Biden, duke e shndërruar në ligj.
Ndonëse i rëndësishëm, projektligji nuk i përfshin masat që janë kërkuar nga shumë demokratë dhe aktivistë.
Në reformë përfshihen kontrolle më të ashpra për të kaluarën e blerësve më të rinj se 21 vjeç dhe 15 miliardë dollarë për programet e shëndetit mendor dhe përditësimin e sigurisë në shkolla.
Senatori republikan, John Cornyn, i cili i udhëhoqi bisedimet me senatorin demokrat, Chris Murphy, tha në Senat se ky projektligj do t’i bëjë amerikanët më të sigurt.
Grupi për sigurinë e armëve, “Marsho për Jetën Tonë”, i themeluar nga të mbijetuarit e sulmit të vitit 2019 në një shkollë në Florida, e mirëpriti miratimin e projektligjit në Senat./Nacionale