Sekretari i Mbrojtjes i thotë Trumpit se Pentagoni është i përgatitur në lidhje me Iranin
Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Pete Hegseth, tha të enjten se ushtria amerikane do të jetë e përgatitur për të zbatuar çfarëdo që vendos presidenti Donald Trump rreth Iranit për t’u siguruar që Teherani të mos e arrijë aftësinë për të prodhuar armë bërthamore.
“Ata nuk duhet t’i ndjekin kapacitetet bërthamore. Ne do të jemi të përgatitur për të zbatuar çfarëdo që presidenti pret nga Departamenti i Luftës” – tha sekretari Hegseth, duke iu referuar Departamentit të Mbrojtjes me emrin e ri por jozyrtar, që i është vënë nga administrata e Trumpit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zyrtarët amerikanë thonë se presidenti është duke i shqyrtuar opsionet, por ende nuk ka marrë vendim për ta sulmuar Iranin.
Tensionet mes Uashingtonit e Teheranit u rritën pas shtypjes së përgjakshme të protestave në mbarë Iranin nga autoritetet e këtij vendi në javët e fundit.
Trumpi në mënyrë të përsëritur ka kërcënuar me ndërhyrje, nëse Irani do të vazhdonte që të vriste protestues, por protestat gjithëkombëtare për vështirësitë ekonomike dhe shtypjen politike tashmë janë dobësuar.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se vendi i tij do të veprojë, nëse Irani e vazhdon programin bërthamor pas sulmeve ajrore të qershorit nga forcat izraelite e amerikane ndaj qendrave kyçe bërthamore.