Së paku katër të vdekur nga një stuhi e ashpër në ShBA - NACIONALE

Së paku katër të vdekur nga një stuhi e ashpër në ShBA

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një stuhi e ashpër e goditi pjesën juglindore të Teksasit të ShBA-së të enjten – për herë të dytë këtë muaj – duke lënë të vdekur të paktën persona, duke hequr dritare të ndërtesave të larta e duke rrëzuar drurë e duke shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike për më shumë se 900 mijë shtëpi e biznese në zonën e Houstonit.

Zyrtarët u bënë thirrje banorëve që të mos dalin rrugëve, sepse shumë prej tyre ishin të pakalueshme dhe semaforët pritej të ishin jashtë shërbimit për një pjesë të konsiderueshme të natës, raporton agjencia “Associated Press”.

“Qëndroni në shtëpi sonte. Mos shkoni në punë nesër, përpos nëse jeni punëtor esencial. Qëndroni në shtëpi, kujdesuni për fëmijët tuaj. Punëtorët tanë të reagimit të parë do të jenë duke punuar vazhdimisht” – tha kryetari i qytetit Houston, John Whitmire.

Sipas tij, katër persona kanë vdekur gjatë motit të ashpër. Të paktën dy prej rasteve fatale u shkaktuan nga rrëzimi i drurëve dhe një tjetër nga një vinç që u rrëzua nga era e fuqishme, thanë zyrtarët.

Në rajon pati vërshim të rrugëve e rrëzim të drurëve e linjave të energjisë. Kryetari i Houstonit tha se shpejtësia e erës arriti deri në 160 kilometra në orë, duke e krahasuar stuhinë me uraganin “Ike” të vitit 2008.

Qindra dritare iu hoqën hoteleve e ndërtesave me zyra, ndërsa xhamat ranë në rrugët pranë tyre. Zyrtarët e kanë angazhuar Departamentin e Sigurisë Publike për ta siguruar zonën.

Distrikti i Pavarur Shkollor i Houstonit e anuloi procesin mësimor për të premten për rreth 400 mijë nxënës në të gjitha 274 kampuset e veta shkollore.

Lajme të ngjashme