Së paku dy të vrarë nga sulmi rus në Kharkiv të Ukrainës
Të paktën dy persona kanë vdekur dhe një tjetër është lënduar nga bombardimet ruse në rajonin lindor ukrainas, Kharkiv, sipas Oleh Syniehubov-it, drejtor i administratës rajonale ushtarake në Kharkiv.
Ky zyrtar tha se sulmet ndodhën në distriktin e Kupianskut, që shtrihet në vijën e frontit dhe që është ballafaquar me sulme të konsiderueshme. Javëve të fundit, Rusia ka sulmuar afër Kupianskut, raporton televizioni CNN.
Sipas të dhënave preliminare, dy viktimat vdiqën në fshatin Podoly, shkroi të premten në rrjetin telegram drejtori i adminsitratës rajonale ushtarake.
Ai shtoi se nga sulmi u godit një kafene ku kishte banorë dhe se pjesëtarët e forcave të rendit dhe të shërbimeve emergjente ishin duke punuar në vendin e ngjarjes.
Ndërkohë guvernatori i rajonit Belgorod të Rusisë, që kufizohet me Ukrainën, ka thënë se gjashtë civilë janë lënduar si rezultat i sulmeve ukrainase në këtë zonë. Guvernatori Vyacheslav Gladkov tha se këta persona kanë pësuar plagë nga copëzat e predhave.
“Një i lënduar është në gjendje tepër serioze. Një burrë ka plagë në zonën e poshtme të shpinës dhe organet e brendshme janë dëmtuar”- shkroi në rrjetin “Telegram” guvernatori rus të shtunën, duke shtuar se i lënduari ishte duke u operuar.
Sipas tij, më shumë se dhjetë shtëpi e disa vetura janë dëmtuar nga sulmet ukrainase.
