Së paku dy të vdekur nga zjarret në Portugali, BE-ja i çon ndihmë
Të paktën dy persona vdiqën, ndërsa zjarret në natyrë u përhapën në pjesët qendrore dhe veriore të Portugalisë të hënën, duke i detyruar autoritetet që t’i evakuonin banorët e disa fshatrave dhe të kërkonin nga BE-ja që të dërgonte më shumë aeroplanë për shuarje të flakëve.
Situata është më e rrezikshme në distriktin veriperëndimor, Aveiro, ku një zjarr në pyll arriti në periferi të qytezës Albergaria-a-Velha dhe disa shtëpi u dogjën, tha kryetari i këtij vendbanimi, raporton agjencia “Reuters”.
Më shumë se 1.100 zjarrfikës po e luftonin atë zjarr dhe tre të tjerë në zonë. Policia mbylli një pjesë të autostradës kryesore mes Lisbonës dhe Portos, pasi tymi i dendur e kaploi zonën.
Policia tha se oficerët i kishin gjetur mbetjet e një burri që mësa dukej ishte duke punuar për një kompani të pyjeve.
Në të njëjtën zonë, një person tjetër vdiq nga sulmi në zemër pas afrimit të zjarrit, ndërsa dy të tjerë ishin në spital me lëndime serioze, sipas shërbimit të mbrojtjes civile.
Autoritetet thanë se kishin dislokuar 12 aeroplanë për hedhje të ujit në atë distrikt dhe se po luftonin të paktën 20 zjarre në mbarë vendin.
Qeveria kërkoi edhe tetë aeroplanë për luftën kundër zjarreve nga Komisioni Evropian sipas mekanizmit të BE-së për mbrojtje civile.
Dy aeroplanë arritën nga Spanja dhe dy të tjerë priteshin nga Franca, tha një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të Portugalisë. Greqia gjithashtu tha se do të dërgonte dy aeroplanë CL-415./Nacionale