Së paku 63 të vdekur për 24 orë nga vërshimet pas shiut të dendur në Pakistan - NACIONALE

Së paku 63 të vdekur për 24 orë nga vërshimet pas shiut të dendur në Pakistan

1 vit më parë

nga NACIONALE

Reshjet e dendura të shiut në provincën Punjab të Pakistanit kanë lënë të vdekur të paktën 63 njerëz, ndërsa 290 të tjerë pësuan lëndime në 24 orët e para që nga fillimi i reshjeve të mërkurën në mëngjes.

Shumica e viktimave u shtypën nga ndërtesat që u shembën, ndërsa pjesa tjetër e humbën jetën ose duke u fundosur në ujë, ose duke rënë në kontakt me rrymën, sipas Autoritetit Kombëtar për Menaxhimin e Katastrofave, raporton televizioni BBC.

Autoritetet në qytetin Rawalpindi, afër kryeqytetit Islamabad, të enjten e shpalli ditë pushimi në mënyrë që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa atyre që jetojnë afër një lumi që po i ngrihej niveli i ujit dhe që kalon nëpër qytet u është kërkuar që të evakuohen.

Viktimat e reja e çuan në gati 180 numrin gjithëkombëtar të vdekjeve që nga fillimi i periudhës së reshjeve në fund të qershorit. Më shumë se gjysma ishin fëmijë.

Nga vërshimet janë mbyllur disa rrugë në Punjab, ndërsa dhjetëra fluturime janë anuluar ose janë shtyrë.

Autoritetet në Punjab kanë paralajmëruar se reshje e vërshime të reja priten gjatë fundjavës. Mijëra punëtorë shpëtimi janë vënë në gjendje gatishmërie në mbarë provincën.

Pakistani, shtet me popullsi prej gati 250 milionë njerëzish, është në mesin e vendeve më të ndjeshme ndaj ndryshimeve klimatike. Shteti aziatik ballafaqohet me dy sisteme domethënëse të motit – njëri nga ta mund të shkaktojë temperatura të larta e thatësi, ndërsa tjetri e sjell sezonin e reshjeve.

Në vitin 2022, një e treta e vendit u vërshua nga reshjet e sezonit, duke lënë të vdekur rreth 1.700 njerëz. Vendi pësoi edhe dëme ekonomike me vlerë më të lartë se 30 miliardë dollarë./Nacionale

Lajme të ngjashme