Së paku 60 të vdekur e mbi 200 të zhdukur nga vërshimet e rrëshqitja e dheut në Indi - NACIONALE

Së paku 60 të vdekur e mbi 200 të zhdukur nga vërshimet e rrëshqitja e dheut në Indi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Të paktën 60 njerëz kanë vdekur dhe 200 të tjerë janë zhdukur, një ditë pasi shiu i dendur e i papritur shkaktoi vërshime dhe rrëshqitje dheu në pjesën indiane të Kashmirit, thanë të premten autoritetet dhe mediat lokale. Kjo ishte katastrofa e dytë e kësaj natyre në Himalaje brenda pak më shumë se një jave.

Uji i vërshimeve dhe balta e kapluan fshatin Chasoti në Kashmirin indian të enjten, duke marrë me vete pelegrinë që ishin mbledhur për drekë para se ta nisnin ngjitjen në kodër për të shkuar në një vend të popullarizuar pelegrinazhi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Dëgjuam një zë të madh dhe ai u pasua nga një vërshim i shpejtë dhe sqota. Njerëzit bërtisnin dhe disa prej tyre ranë në Lumin Chenab. Të tjerë u varrosën nën rrënoja” – tha Rakesh Sharma, pelegrin që pësoi lëndime.

Çanta, rroba e gjësende të tjera, të baltosura, u panë në mesin e shtyllave të thyera elektrike e baltës të premten, përderisa punëtorët e shpëtimit përdorën lopata e litarë dhe shtruan ura të improvizuara në përpjekje për t’i nxjerrë njerëzit nga rrënojat.

“Na është thënë se 100 deri në 150 njerëz të tjerë mund të jenë varrosur nën rrënoja” – i tha agjencisë së lajmeve ANI një punëtor i shpëtimit.

Incidenti i së enjtes ndodhi pak më shumë se një javë pasi vërshimet dhe rrëshqitja e dheut kapluan një fshat të tërë në shtetin indian Uttarakhand në Himalaje.

“Natyra ka qenë duke na testuar. Në ditët e fundit, na është dashur që të ballafaqohemi me rrëshqitje dheu, rrebeshe shiu dhe fatkeqësi të tjera natyrore” – tha kryeministri Narendra Modi në fillim të një fjalimi gati dyorësh me rastin e 79-vjetorit të pavarësisë së vendit.

Sipas Departamentit të Meteorologjisë në Indi, rrebeshi është rënia e papritur dhe intensive e më shumë se 100 milimetrave shi brenda vetëm një ore, e cila mund të shkaktojë vërshime të papritura, rrëshqitje dheu dhe shkatërrim, sidomos në rajonet malore gjatë sezonit të reshjeve./Nacionale

Lajme të ngjashme