Së paku 40 të vdekur nga përmbytja e anijes me emigrantë afër Tunizisë - NACIONALE

Së paku 40 të vdekur nga përmbytja e anijes me emigrantë afër Tunizisë

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Dyzet emigrantë nga Afrika Subsahariane u gjetën të vdekur të mërkurën pas përmbytjes së një anijeje afër Tunizisë, ndërsa 30 të tjerë u shpëtuan, i tha agjencisë së lajmeve AFP një zëdhënës i organeve të drejtësisë në shtetin afrikan.

“Hetimet fillestare tregojnë se në anije ndodheshin 70 njerëz” – tha Walid Chtabri, zëdhënës i zyrës së prokurorit në Mahdia.

“Dyzet trupa, përfshirë foshnja, u gjetën dhe 30 njerëz u shpëtuan. Të gjithë ishin nga shtetet e Afrikës Subsahariane” – shtoi ai.

Tunizia, bregdeti i së cilës shtrihet vetëm 145 kilometra larg ishullit Italian Lampedusa, është shtet transit kyç për mijëra emigrantë afrikanë që synojnë të arrijnë në Evropë përmes detit çdo vit.

Më shumë se 55 mijë emigrantë të parregullt kanë arritur në Itali nga fillimi i vitit, sipas të dhënave më të reja të agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët.

Shumica e tyre ishin nisur nga Libia, ndërsa gati 4.000 të tjerë lundrimin e kishin filluar nga Tunizia, thotë kjo agjenci.

Rruga përmes pjesës qendrore të Detit Mesdhe konsiderohet posaçërisht e rrezikshme. Mbi 32.800 njerëz kanë vdekur ose janë zhdukur nga viti 2014, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim.

Në vitin 2013, Tunizia nënshkroi një marrëveshje me vlerë të 255 milionë eurove me Bashkimin Evropian. Gati gjysma e kësaj shume ishte ndarë për luftimin e migrimit të parregullt./Nacionale

Lajme të ngjashme