Së paku 32 të vdekur nga tërmeti prej 7,8 shkallësh në Filipine - NACIONALE

Së paku 32 të vdekur nga tërmeti prej 7,8 shkallësh në Filipine

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Të paktën 32 njerëz kanë vdekur, pasi një tërmet me fuqi prej 7,8 shkallësh ndodhi afër bregdetit të ishullit Mindanao në jug të Filipineve, thanë zyrtarët e shtetit aziatik.

Tërmeti ndodhi në orën 7 e 37 minuta të mëngjesit të së hënës sipas kohës lokale, duke nxitur paralajmërime për cunami në Filipine, Indonezi, Japoni dhe Australi. Disa prej këtyre paralajmërimeve u anuluan disa orë më vonë, raporton televizioni BBC.

Në video e fotografi shihen ndërtesa duke u shembur, përfshirë një restorant që i mbetën vetëm rrënojat. Në disa zona janë regjistruar edhe rrëshqitje të dheut.

Më shumë se 100 njerëz kanë pësuar lëndime në disa province, rreth 20 të tjerë janë zhdukur e 10 mijë banorë janë evakuuar si masë parandaluese, thanë autoritetet.

Mindanao është ishulli i dytë më i madh i Filipineve – për nga sipërfaqja dhe popullsia – dhe në të banojnë rreth 26 milionë njerëz.

Numri i viktimave akoma duhet të vërtetohet nga agjencia kombëtare e katastrofave, e cila i verifikon raportet nga burime të ndryshme lokale dhe e cila pritet të paraqesë një përditësim zyrtar të të dhënave ditëve në vijim.

Autoritetet lokale në provincën bregdetare Sarangani, rreth 20 kilometra larg epiqendrës së tërmetit, thanë se 17 njerëz kanë vdekur atje, shumë prej tyre nga rrëshqitja e dheut. Tërmeti shkaktoi përkohësisht ndërprerje të energjisë elektrike dhe rrjetit të komunikimit në Sarangani, edhe pse këto shërbime u rikthyen më vonë./Nacionale

Lajme të ngjashme