Së paku 31 të vrarë nga bombardimet izraelite në Gaza
Sulmet ajrore izraelite lanë të vrarë të paktën 31 njerëz në Gaza të martën, thanë mjekët lokalë, ndërsa luftimet u shtuan, përderisa ushtria izraelite tha se ishte duke vënë në shënjestër qendrat e komandës që përdoren nga militantët e Hamasit.
Zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë se të paktën 13 njerëz, përfshirë gra e fëmijë, u vranë nga dy sulme ajrore izraelite ndaj dy shtëpive në Nuseirat, njëri nga tetë kampet historike të refugjatëve në enklavë, raporton agjencia “Reuters”.
Nuk ka pasur koment të menjëhershëm nga ushtria izraelite për këto dy sulme.
Një sulm tjetër ndaj një shkolle ku ishin strehuar familje të zhvendosura palestineze në lagjen Tuffah të Qytetit Gaza u vranë të paktën shtatë persona, thanë mjekët.
Ushtria izraelite tha në një deklaratë se në shënjestër të sulmit ajror ishin militantët e Hamasit që po vepronin nga një qendër komande e rrënjosur në një kompleks që më parë kishte shërbyer si shkolla “Al-Shejaia”.
Forcat izraelite e akuzuan Hamasin se po i përdor popullsinë dhe objektet civile për qëllime ushtarake. Hamasi e hedh poshtë këtë akuzë.
Më vonë të martën, dy sulme të ndryshme izraelite lanë të vrarë pesë palestinezë në Rafah, në jug të Rripit të Gazës, dhe në periferinë Zeitoun të Qytetit Gaza, thanë mjekët.
Në qytetin Khan Younis, në jug të enklavës, gjashtë palestinezë u vranë nga një sulm ajror izraelit ndaj një tende ku po strehoheshin njerëz të zhvendosur, sipas mjekëve.
Krahu i armatosur i Hamasit, Xhihadi Islam dhe fraksione të tjera më të vogla thanë në deklarata të ndryshme se luftëtarët e tyre sulmuan forca izraelite që po operonin në disa zona të Gazës me raketa kundërtanke, zjarr mortajash dhe pajisje shpërthyese./Nacionale