Së paku 24 të zhdukur nga vërshimet në Jemen
Një fshat në pjesën veriore të Jemenit u prek nga vërshimet, uji i të cilave hyri nëpër shtëpi e dyqane dhe la të paktën 24 persona të zhdukur, thanë të mërkurën autoritetet atje.
Reshjet e dendura në ditët e fundit e përfshinë distriktin Melhan të provincës Al-Mahwit, duke shkaktuar vërshime që depërtuan në shtatë shtëpi e katër dyqane, sipas një deklarate të rebelëve Houthi të Jemenit, raporton agjencia “Associated Press”.
Jemeni tashmë ishte vendi më i varfër arab edhe para se të zhytej në luftë civile më 2014, kur rebelët Houthi, që mbështeten nga Irani, e morën kontrollin në kryeqytetin Sana dhe në një pjesë të madhe në veri të vendit, duke e detyruar qeverinë të zhvendosej në jug e më pas në Arabi Saudite.
Reshjet sezonale në fund të verës shpesh shndërrohen në vërshime në Jemen, por ka shenja se vendi është duke u ballafaquar me ngjarje më të skajshme të motit për shkak të ndryshimit të klimës.
Në një raport të Gjysmëhënës së Kuqe të Jemenit këtë vit parashikohej që vendi do të kishte më pak reshje në përgjithësi, por vërshimet pritet të jenë më të ashpra në periudhën e reshjeve. Periudha e reshjeve në Jemen nis në fund të marsit dhe intensifikohet në korrik dhe në mesin e gushtit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha këtë javë se jemenasit po vuajnë “në mënyrë joproporcionale nga ndryshimi i klimës për shkak të kapaciteteve të tyre tashmë të minuara, burimeve të kufizuara dhe infrastrukturës së brishtë”./Nacionale