Së paku 24 të vdekur nga rrëshqitja e dheut në Indi, vazhdon kërkimi për të zhdukurit
Ekipet e shpëtimit po e vazhdonin punën të hënën në distriktin verilindor indian, Darjeeling, për personat e zhdukur një ditë pasi rëshqitja e dheut, e nxitur nga reshjet e dendura, la të vdekur të paktën 24 njerëz, thanë zyrtarët.
Ekipet e personelit ushtarak indian dhe të forcës për reagim në raste katastrofash po kërkonin njerëz që kishte frikë se kanë mbetur të ngujuar nën mbetje, tha Udayan Guha, ministër i Zhvillimit në shtetin e Bengalit Perëndimor, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Reshjet dhe dëmtimi i rrugëve i penguan përpjekjet për të arritur te disa fshatra të prekura, thanë zyrtarët indianë. Rrëshqitjet e dheut nga shiu i dendur shkatërroi shtëpi dhe infrastrukturë dhe la qindra turistë të ngujuar në Darjeeling gjatë fundjavës. Shiu e shkaktoi edhe shembjen e dy urave të çelikta, tha kryeministrja rajonale në Bengalin Perëndimor, Mamata Banerjee.

Të dielën, të paktën 44 njerëz e humbën jetën në Nepal për shkak të rrëshqitjes së dheut dhe vërshimve të nxitura nga reshjet e dendura. Në mesin e viktimave ishin të paktën 37 njerëz në distriktin lindor malor, Illam.
Reshjet e dendura të fundjavës erdhën në fund të periudhës së reshjeve në Nepal, e cila fillon zakonisht në qershor dhe përfundon në mesin e shtatorit.
Në një incident tjetër, ekipet e shpëtimit po ndihmonin qindra alpinistë që kishin mbetur të ngujuar nga bora e madhe në kampe turistësh në një shpat të Malit Everest në Tibet, thanë mediat kineze.