Së paku 22 të vrarë nga sulmet e reja izraelite në Gaza, goditet edhe një kishë
Forcat izraelite vranë të paktën 22 njerëz gjatë sulmeve në Rripin e Gazës të enjten dhe disa të tjerë u lënduan nga sulmi ndaj një kishe, thanë mjekët dhe zyrtarët e kishës.
Tetë burra të ngarkuar me detyrën e mbrojtjes së kamionëve me ndihma raportohet se ishin në mesin e të vrarëve nga sulmet ajrore që u kryen në kohën kur ndërmjetësit i vazhduan në Doha të Katarit bisedimet për armëpushim, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Një zyrtar amerikan tha këtë javë se bisedimet ishin duke ecur mirë, por dy zyrtarë të grupit Hamas i thanë agjencisë “Reuters” se ata nuk kishin bërë progres rreth çështjeve kyçe dhe kishin ngecur.
Disa persona u plagosën gjatë një “bastisjeje” të mëngjesit ndaj Kishës “Familja e Shenjtë”, përfshirë priftin Gabriel Romanelli, tha në një deklaratë Patriarkana Latine e Jerusalemit për incidentin në kishën e vetme katolike në Gaza.
“Sulmet kundër popullsisë civile që Izraeli ka qenë duke i kryer me muaj janë të papranueshme. Asnjë veprim ushtarak nuk mund të justifikoj një qëndrim të tillë” – tha në një deklaratë kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.
Vatikani nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Ushtria izraelite tha se ishte duke e analizuar çështjen.
“Forcat e Mbrojtjes të Izraelit janë të vetëdijshme për raportimet në lidhje me dëmin e shkaktuar ndaj Kishës “Familja e Shenjtë” në Qytetin Gaza dhe pasojat në njerëz në vendin e ngjarjes. Rrethanat e incidentit janë nën shqyrtim” – tha ushtria./Nacionale