Së paku 21 të vdekur e 60 të zhdukur nga zjarri në një qendër tregtare në Pakistan
Zjarrfikësit pakistanezë filluan që të nxirrnin trupa nga mbetjet e një qendre të madhe tregtare në Karaçi të hënën, pasi më shumë se 60 njerëz ishin ende të zhdukur pas një zjarri masiv që la të vrarë të paktën 21 njerëz.
Zjarri më i madh në këtë qytet në më shumë se një dekadë filloi të shtunën vonë në qendrën tregtare “Gul Plaza”, ku ndodhen 1.200 dyqane në një kompleks shumëkatësh të shpërndarë në një hapësirë më të madhe se një fushë futbolli. Zjarri në qendrën historike të Karaçit vazhdoi për më shumë se 24 orë para se të fikej në pjesën më të madhe, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në pamje të publikaura në mëdia shihej flaka që e kishte kapluar ndërtesën dhe zjarrfikësit që punuan gjatë natës për ta fikur zjarrin. Të hënën, ata filluan që ta ftohnin objektin dhe t’i pastronin metalet e deformuara e mbetjet e shpërndara në rrugë.

Shumica e ndërtesës ishte shkërmoqur deri të hënën pasdite. Me vinça u shemb pjesa e mbetur e ndërtesës për shkak të frikës se ajo mund të shembej vetë.
Qytetari Qasir Khan tha se bashkëshortja e tij, nëna dhe reja kishin shkuar në këtë qendër tregtare të shtunën në mbrëmje dhe ishin në mesin e personave të zhdukur.
"Trupat do të dalin nga ky vend në copa. Askush nuk do të jetë në gjende që t’i njohë ata" – tha ai, duke u ankuar se përpjekjet për shpëtim nuk ishin mjaftueshëm të shpejta. “Ata do të mund të shpëtonin shumë njerëz” – u ankua pakistanezi./Nacionale