Së paku 16 punëtorë vdesin nga rrëzimi i një vinçi në Indi
Të paktën 16 punëtorë kanë vdekur dhe disa të tjerë ka frikë se janë ngujuar pas rrëzimit të një vinçi gjatë ndërtimit të një ure në shtetin perëndimor indian, Maharashtra, sipas zyrtarëve.
Në pamje televizive u panë mbetjet e dëmtuara të vinçit në tokë mes shtyllave të një ure afër zonës Shahapur, rreth 80 kilometra larg kryeqytetit rajonal, Mumbai, raporton agjencia “Reuters”.
Ekipet e shpëtimit po mundoheshin që t’i nxirrnin trupat dhe të paktën 16 u raportuan të vdekur, tha Mohsen Shahidi, zyrtar i lartë në Forcën Kombëtare për Reagim në Fatkeqësi.
“I pikëlluar nga fatkeqësia tragjike në Shahapur, Maharashtra. Ngushëllimet e mia më të thella familjeve të atyre që e humbën jetën”- tha zyra e kryeministrit Narendra Modi në rrjetin “X”.
Zyra e kryeministrit njoftoi për ndarjen e nga 200 mijë rupive (2.430 dollarë) për familjet e të vdekurve dhe për ndarjen e nga 50 mijë rupive (608 dollarë) për të lënduarit.