Së paku 14 të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza, sulmohet edhe Bejruti
Zyrtarët mjekësorë palestinezë thanë se të paktën 14 njerëz, përfshirë dy fëmijë dhe një grua, janë vrarë nga dy sulme izraelite në Gaza.
Vdekja e tyre erdhi pasi tetë grupe ndërkombëtare të ndihmave thanë në një raport të martën se Izraeli ka dështuar që t’i përmbushë kërkesat e Shteteve të Bashkuara që të lejojë qasje më të madhe në ndihma humanitare në Rripin e Gazës të rrënuar nga lufta, ku kushtet janë më të këqija se në cilëndo pikë tjetër të konfliktit 13-mujor, raporton agjencia “Associated Press”.
Një kafene u godit të hënën vonë nga një sulm në të ashtuquajturën zonë humanitare Muwasi, në perëndim të qytetit Khan Younis në Gaza, duke lënë të vrarë të paktën 11 persona, përfshirë dy fëmijë, sipas zyrtarëve në spitalin “Naser”, ku dërguan viktimat.
Një sulm tjetër të martën herët goditi një shtëpi në kampin e refugjatëve “Nuseirat” në pjesën qendrore të Gazës, duke lënë të vrarë tre njerëz, përfshirë një grua, sipas spitalit “al-Awda”, ku u pranuan viktimat.
Administrata e presidentit Joe Biden të ShBA-së muajin e kaluar i bëri thirrje Izraelit për t’i shtuar ndihmat ushqimore dhe ndihmat e tjera urgjente në Gaza, duke i caktuar afat 30-ditor që po skadonte të martën.
Shtetet e Bashkuara e paralajmëruan Izraelin se dështimi për ta respektuar këtë afat mund të aktivizojë ligje amerikane për pakësimin e përkrahjes ushtarake amerikane në kohën kur forcat izraelite po zhvillojnë luftë kundër Hamasit në Gaza dhe kundër Hezbollahut në Liban.
Izraeli ka njoftuar disa hapa drejt përmirësimit të situatës. Megjithatë, zyrtarët amerikanë kanë sinjalizuar ditëve të fundit se Izraeli ende nuk është duke bërë mjaftueshëm, edhe pse nuk kanë treguar nëse do të marrin masa kundër këtij vendi./Nacionale