Së paku 13 të vdekur e dhjetëra të lënduar nga një shpërthim në Katar
Trembëdhjetë njerëz u vranë dhe dhjetëra të tjerë u lënduan nga një shpërthim në një qendër për përpunimin e gazit në kompleksin masiv industrial “Ras Laffan” në Katar, tha të hënën ministri i Energjisë.
Ky është njëri nga aksidentet më vdekjeprurëse në industrinë e gazit në më shumë se dy dekada, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ministri Saad al-Kaabi tha se objektet e gazit natyror të lëngëzuar nuk janë prekur nga shpërthimi. Kompania shtetërore “QatarEnergy” është duke punuar për rinisjen e operacioneve që lidhen me gazin natyror të lëngëzuar në “Ras Laffan”, të cilat u ndërprenë pas një sulmi iranian në mars.
Autoritetet thanë se “aksidenti teknik” ndodhi në objektin për përpunimin e gazit në Barzan të dielën në mbrëmje. Prodhimi në fabrikë ishte ndërprerë tërësisht që nga dhjetori i vitit të kaluar për shkak të kërkesave urgjente për mirëmbajtje dhe së pari kishte rinisur vetëm para dy ditëve, tha para gazetarëve ministri Kaabi.
Katastrofa e fundit që mund të krahasohet me rastin e së dielës është shpërthimi në kompleksin “Skikda LNG” në Algjeri më 2004, kur e kishin humbur jetën 27 njerëz. Kaabi tha se asnjëri nga 66 të lënduarit pas shpërthimit në Barzan nuk është në rrezik për jetën. Ai shtoi se të vdekurit ishin indianë dhe pakistanezë.
Kompania “QatarEnergy” ka filluar një hetim të plotë për shkaktarin e aksidentit, për të cilin Kaabi tha se nuk ishte sabotazh apo armiqësor për nga natyra dhe nuk paraqet rrezik për mjedisin.