Së paku 10 të vdekur nga zjarri në një shtëpi për të moshuar në Spanjë
Zjarri kaploi një shtëpi për të moshuar të premten herët në qytezën veriore spanjolle, Villafranca del Ebro, duke lënë të paktën dhjetë të vdekur, tha qeveria rajonale e Aragonit.
Flaka nisi në shtëpinë për të moshuar “Jardines de Villafranca” rreth orës 5 të mëngjesit dhe zjarrfikësve iu nevojitën disa orë për ta shuar atë, tha një zëdhënës i qeverisë rajonale, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zëdhënësi nuk mund të saktësonte nëse të gjitha viktimat ishin banorë të shtëpisë, ku jetonin 82 persona të moshuar.
Një person ishte në gjendje kritike, ndërsa disa të tjerë kanë pranuar kujdes kryesisht për shkak të problemeve nga thithja e tymit.
Zjarrfikësit, që erdhën nga zona e Zaragoza-s, qytet që ndodhet 35 kilometra larg, autoambulancat dhe policia janë në vendin e ngjarjes, tha zëdhënësi.
Shkaktari I zjarrit ende ishte duke u hetuar.