“S’e dita që ishte ajo”: Punëtori emergjent kupton se po e bartte trupin e nënës së vrarë në Gaza - NACIONALE

“S’e dita që ishte ajo”: Punëtori emergjent kupton se po e bartte trupin e nënës së vrarë në Gaza

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Një punëtor ambulantor palestinez u tmerrua, kur u largua mbuloja: kufoma në barelë ishte e nënës së tij, e vrarë të mërkurën nga një sulm ajror izraelit në pjesën qendrore të Gazës.

“O Zot, betohem – ajo është nëna ime! Nuk e dita se ishte ajo” – tha Abed Bardini duke qarë e duke iu afruar kufomës së nënës Samira, duke ia rrokur kokën me duar. Kolegët e tij u munduan që ta ngushëllonin, raporton agjencia “Associated Press”.

Bardini pa e ditur ishte ulur në autoambulancë pranë kufomës së nënës, që ishte mbështjellë me një mbulojë të bardhë me njolla të errëta gjaku, përderisa automjeti kishte kaluar nëpër rrugë të goditura për rreth dy kilometra drejt spitalit “Martirët e Al-Aksës”Deir al-Balah.

Tre njerëz u vranë dhe të paktën dhjetë të tjerë u plagosën nga sulmi izraelit ndaj një veture në kampin e refugjatëve “Maghazi”, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë dhe gazetarëve të agjencisë “Associated Press”. Zyrtarët shëndetësorë thanë se dy prej të vdekurve ishin burrat që ndodheshin në automjet, ndërsa shpërthimi e lëndoi në mënyrë fatale edhe 61-vjeçaren Samira Bardini, kur ajo ndodhej afër vendit të shpërthimit.

Djali i saj, punëtor i ekipeve emergjente, ndodhej në njërën prej dy autoambulancave të dërguara në vendin e ngjarjes. Kur u kthye në spital, ai e nxori barelën me profesionalizëm me përvojë dhe e lëvizi trupin nëpër oborrin e spitalit.

Brenda, stafi mjekësor e largoi mbulojën për të kontrolluar nëse trupi kishte shenja jete. Në atë çast, fuqia e punëtorit Bardini kolapsoi.

Më vonë, ai ishte ulur në morg pranë trupit të nënës, duke e mbajtur kokën me duar, i ngushëlluar prej kolegëve. Ata i kryen lutjet e funeralit në një parking, ndërsa Bardini më pas personalisht ofroi ndihmë për ta futur trupin në një autoambulancë për ta varrosur më vonë.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite nuk e komentoi menjëherë sulmin. Izraeli thotë se kryen sulme precize në Gaza, duke vënë në shënjestër militantë të Hamasit, dhe se mundohet që ta shmangë lëndimin e civilëve. Megjithatë, nga sulmet izraelite shpesh vriten gra e fëmijë.

Paralajmërim: Videoja e mëposhtme përmban pamje të ndjeshme.

Lajme të ngjashme