Scholzi shpjegon pse ngurron që t’i dërgojë Ukrainës raketa me rreze të gjatë, “Taurus”
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, bëri të qartë të hënën se mbetet ngurrues për t’i dërguar Ukrainës raketa me rreze të gjatë, “Taurus”, duke e theksuar rrezikun që vendi i tij të përfshihet drejtpërdrejt në luftë.
Gjermania tani është furnizuesja e dytë më e madhe e Ukrainës me ndihma ushtarake pas Shteteve të Bashkuara dhe këtë vit do ta shtojë edhe më shumë përkrahjen. Megjithatë, kancelari gjerman nuk ka lëvizur me muaj sa i përket dëshirës së Ukrainës për t’u furnizuar me raketa “Taurus”, të cilat kanë rreze veprimi prej 500 kilometrash dhe në teori do të mund të përdoreshin kundër caqeve thellë brenda territorit rus, raporton agjencia “Associated Press”.
Ai nuk ka deklaruar në mënyrë përfundimtare se këto raketa nuk do të dërgohen në Ukrainë, por e ofroi shpjegimin më të qartë deri më tani për ngurrimin e tij, i cili i ka zemëruar opozitarët konservatorë në Gjermani dhe disa brenda koalicionit qeveritar. Scholzi e shpjegoi qëndrimin e tij në një konferencë editoriale të agjencisë gjermane të lajmeve, DPA.
Kancelari gjerman e ka theksuar për një kohë të gjatë vendosmërinë e tij për ta ndihmuar Ukrainën pa e eskaluar luftën dhe pa i tërhequr Gjermaninë e NATO-n në konflikt dhe theksoi se asnjë ushtar gjerman nuk do të shkojë në Ukrainë.
Britania dhe Franca për një kohë të gjatë kanë njoftuar se do të dërgonin në Ukrainë raketa “Storm Shadow” e “Scalp”.
Scholzi tha të hënën se raketa “Taurus” është “armë që arrin shumë larg” dhe shtoi: “Ajo që po bëhet në mënyrën e kontrollimit të caqeve dhe kontrollimit shoqërues të caqeve në anën e britanikëve dhe francezëve, nuk mund të bëhet në Gjermani. Secili që është marrë me këtë sistem, e di këtë”.
Kur u pyet nëse ishte i brengosur që ushtarët gjermanë do të detyroheshin për të shkuar në Ukrainë për të kontrolluar se çfarë vënë në shënjestër raketat, Scholzi tha se “ushtarët gjermanë në asnjë pikë dhe në asnjë vend nuk duhet të lidhen me caqet që i arrin ky sistem [Taurus]” dhe shtoi se “as në Gjermani”.
Sipas kancelarit gjerman, ekzistojnë arsye të mira pse këto raketa nuk janë opsioni i ardhshëm në agjendë. “Kjo qartësi është e nevojshme. Unë jam i befasuar që kjo nuk po lëviz disa njerëz, që ata as nuk mendojnë për atë nëse, sikur të ishte, një pjesëmarrje në luftë do të mund të dilte nga ajo që ne bëjmë” – tha ai.
Scholzi sugjeroi se debati gjerman për raketat “Taurus” nuk e ka më pamjen e asaj për të cilën ka vërtet nevojë Ukraina. “Ai që po i mungon Ukrainës është municioni në të gjitha largësitë e mundshme, por jo në mënyrë vendimtare kjo gjë nga Gjermania” – tha ai.
Javën e kaluar, ligjvënësit gjermanë i bënë thirrje Qeverisë që t’i japë Ukrainës armë të tjera me rreze të gjatë, por rrëzuan një thirrje të opozitës me të cilën në mënyrë të hapur kërkohej që Kievit t’i dërgoheshin raketa “Taurus”.