Scholzi e viziton rajonin e vërshuar në jug të Gjermanisë, së paku katër të vdekur
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka thënë se vërshimet në jug të vendit të tij janë thirrje për veprim kundër krizës klimatike, përderisa numri i viktimave u rrit dhe mijëra njerëz u ballafaquan me një natë tjetër jashtë shtëpive.
Të paktën katër persona kanë vdekur, disa të tjerë janë zhdukur dhe mijëra njerëz janë detyruar që të zhvendosen pas reshjeve të dendura të shiut në fundjavë, që shkaktuan vërshime të gjera në Bavari, raporton gazeta “The Guardian”.
Duke folur të hënën gjatë një vizite në Reichertshofen, zonë e goditur nga vërshimet në veri të Mynihut, kancelari Scholz tha se vërshime të tilla nuk janë më ngjarje që ndodhin vetëm një herë e nuk përsëriten.
“Ky është një tregues se diçka po ndodh këtu. Ne nuk duhet ta shpërfillim detyrën e ndalimit të ndryshimit klimatik të bërë nga njeriu” – tha ai para gazetarëve, duke shtuar se vërshimet janë “një paralajmërim që ne duhet ta marrim me vete”.
Kryeministri rajonal i Bavarisë, Markus Soeder, që e shoqëroi kancelarin në vizitën e tij, tha se nuk ka “sigurim të plotë” kundër ndryshimit klimatik.
“Këtu po ndodhin ngjarje që nuk kanë ndodhur kurrë më parë” – tha Soeder, pasi gjendja e jashtëzakonshme u shpall nga disa distrikte në pjesë të ndryshme të Bavarisë.
Vërshimet që ndodhën dy javë para fillimit të kampionatit evropian të futbollit, “Euro 2024”, ngritën shqetësime për infrastrukturën e transportit që ndërlidhet me ngjarjen.
Përderisa asnjë ndeshje nuk pritet të zhvillohet në zonat e prekura nga vërshimet, ka pasur fjalë se pengesat e shkaktuara nga kjo fatkeqësi mund t’i prekin qindra mijëra tifozët e futbollit gjatë udhëtimeve të tyre nëpër Gjermani.
Katër persona kanë vdekur nga vërshimet, ndërsa disa të tjerë janë ende të zhdukur.