Scholzi e viziton Kievin për herë të parë pas dy vjetësh e gjysmë - NACIONALE

Scholzi e viziton Kievin për herë të parë pas dy vjetësh e gjysmë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, arriti të hënën në Kiev për t’u takuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe për ta ripohuar përkrahjen e vendit të tij për Ukrainën përballë agresionit rus, raportuan mediat gjermane.

Kjo është vizita e parë e kancelarit gjerman në kryeqytetin ukrainas në dy vjet e gjysmë. Vizita e tij vjen pak kohë pas telefonatës së gjermanit me presidentin rus, Vladimir Putin, e cila ka nxitur kritika nga Kievi, raporton mediumi “Kyiv Independent”.

Scholzi herën e fundit e kishte vizituar Kievin në qershorin e vitit 2022 bashkë me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe me kryeministrin e atëhershëm Italian, Mario Draghi, duke e shënuar vizitën e parë nga tre udhëheqësit evropianë që nga fillimi i luftës.

Nën udhëheqjen e Scholzit, Gjermania është bërë donatorja e dytë më e madhe ushtarake e Ukrainës pas Shteteve të Bashkuara. Sidoqoftë, kancelari shpesh është kritikuar për qasje të kujdesshme në disa çështje kyçe, si refuzimi për t’i dhënë Ukrainës raketa me rreze të gjatë “Taurus”.

Rishtazi, Schozli e kritikoi kryetarin e partisë CDU/CSU, Friedrich Merz, i cili do të synojë që ta rrëzojë kancelarin në zgjedhjet e parakohshme të shkurtit, për gatishmërinë e tij që Ukrainës t’i japë raketa “Taurus”.

“E tëra që mund të them është: kini kujdes! Ju nuk luani roletë ruse me sigurinë e Gjermanisë” – tha Scholzi në konferencën e partisë së tij në Berlin.

Merzi, partia e të cilit është duke prirë në sondazhe, më parë ka propozuar që Putinit t’i lëshohej një ultimatum për t’i dhënë fund agresionit në Ukrainë. Sipas propozimit, nëse presidenti rus do ta refuzonte ultimatumin, partnerët e Kievit do t’i hiqnin të gjitha kufizimet rreth përdorimit të armëve që tashmë i kishin ofruar, dhe vetëm atëherë Berlini do ta miratonte dhurimin e raketave “Taurus”./Nacionale

Lajme të ngjashme