Scholzi e humb mocionin e mosbesimit, Gjermania drejt zgjedhjeve të parakohshme
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, e ka humbur mocionin e mosbesimit në Kuvend, duke ua hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme pas shembjes së koalicionit të tij qeverisës.
Scholzi e kishte thirrur mocionin e mosbesimit qëllimisht për ta humbur atë, duke i bërë thirrje Bundestagut që ta shpallte mungesën e besimit ndaj tij në mënyrë që të mund të bëheshin hapat e parë formal për t’i shkaktuar zgjedhjet e reja, raporton gazeta “The Guardian”.
Tani, kancelari do të kërkojë nga presidenti Frank-Walter Steinmeier që ta shpërndajë Kuvendin dhe t’i shpallë zyrtarisht zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 60 ditëe. Si datë e mundshme për to është përmendur 23 shkurti.
Kancelarit i nevojiteshin 367 vota për ta arritur qëllimin, ndërsa në fund 394 deputetë e detyruan atë. 207 votuan “po”, ndërsa 116 të tjerë abstenuan.
Scholzi tha se qëllimi i tij është që ta ndërtojë besimin në të ardhmen e vendit, duke këmbëngulur: “Ditët më të mira të Gjermanisë ndodhen para nesh.”
Koalicioni i tij u shemb muajin e kaluar, pasi Demokratët e Lirë (FDP) u tërhoqën për shkak të shkarkimit të ministrit të Financave, Christian Lindner, pas mosmarrëveshjeve të thella rreth menaxhimit të borxhit publik.
Ky veprim e la Gjermaninë me një Qeveri të pakicës, të përbërë nga Partia Socialdemokrate e Scholzit dhe Të Gjelbrit, në një kohë të krizës së thellë ekonomike dhe paqartësive gjeopolitike.
Scholzi do të mbetet në pozitën e udhëheqësit të qeverisë derisa të formohet administrata e re./Nacionale