Scholz përballet me presion që të dërgojë armë të rënda në Ukrainë - NACIONALE

Scholz përballet me presion që të dërgojë armë të rënda në Ukrainë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Berlin – Opozita gjermane, Unioni Demokristian (CDU/CSU) po i bën presion gjithnjë e më shumë kancelarit Olaf Scholz që të dërgojë armë të rënda në Ukrainë.

Ata po akuzojnë kancelarin gjerman se është pjesërisht përgjegjëse për mbrojtjen e Ukrainës dhe e kanë kërcënuar edhe me votë mosbesimi në Bundestag, transmeton agjencia gjermane e lajmeve DPA.

“Ne duam të mbështesim qeverinë në krizën ukrainase”, shkroi në Twitter nënkryetari i klubit parlamentar të Unionit, Johan Vadepul. Megjithatë, nëse Scholz nuk lëviz, “javën e ardhshme do të duhet të llogarisë në mocionin e CDU dhe CSU” kundër tij.

Për hezitimin e tij për të dërguarr armë të rënda në Ukrainë, Scholz nuk po kritikohet vetëm nga konservatorët e opozitës, por edhe nga të Gjelbrit dhe Liberalët (FDP), partnerë të koalicionit të socialdemokratëve të tij (SPD).

Eksperti i politikës së jashtme të CDU, Roderick Kisveter, ka thënë sot për televizionin ZDF se ai vlerëson faktin që qeveria po mbështet financiarisht Ukrainën, por se ajo "nuk mund të shpengohet".

"Ajo që ai me të vërtetë duhet të bëjë është të dërgojë tanke dhe sisteme artilerie," tha Kisveter.

Në gazetën Welt, Vadepul akuzoi qeverinë se po përpiqet të mashtrojë publikun duke premtuar ndihmë të mëtejshme financiare për Ukrainën. "Ukraina ka para të mjaftueshme, në fund të fundit ato dërgohen nga Bashkimi Evropian. Pra financimi shtesë është thjesht një mashtrim jo bindës," tha ai.

Çështja thelbësore është nëse qeveria gjermane do të lejojë eksportin e armëve të rënda. "Olaf Scholz tani duhet të paraqitet dhe bëjë dërgimin, sepse ai është pjesërisht përgjegjës për paaftësinë e Ukrainës për të mbrojtur veten," shtoi Vadepul.

Në anën tjetër edhe kryetarja e Komisionit të Mbrojtjes në Bundestagun gjerman, Strack-Zimmermann, kishte insistuar më parë për dërgimin e armëve të rënda në Ukrainë. Ajo ndjen keqardhje që Scholz ende nuk e di se çfarë do. Ukraina tani ka nevojë për armë të rënda si tanke për të qenë në gjendje të mbrohet, tha Strack-Zimmermann për Rheinische Post. Sidoqoftë, për shkak të sistemeve të ndërlikuara të tankeve gjermane, nuk ka qenë i mundur dërgimi i tyre pa patur një trajnim paraprak. Prandaj, Gjermania duhet të inkurajojë vendet e Evropës Lindore si Sllovakia dhe Polonia që të dërgojnë në Ukrainë sa më parë tanket e tyre të ndërtuara nga sovjetikët.

Deri më tani, Gjermania ka dërguar në Ukrainë raketa antitanke dhe kundërajrore, dhe armë automatike, automjete, pajisje për vëzhgim gjatë natës, dhe pajisje mbrojtëse personale.

Megjithatë, Ukraina po kërkon automjete të blinduara luftarake, artileri dhe helikopterë luftarakë për të luftuar kundër Rusisë.

Lajme të ngjashme