Schoen: I qartë fituesi i debatit Harris - Trump, por zgjedhjet s’kanë marrë fund
Analisti politik amerikan, Douglas Schoen, ka thënë se për të është e qartë se kandidatja demokrate për presidente të ShBA-së, Kamala Harris, e ka fituar debatin e së martës mbrëma kundër rivalit të saj republikan, Donald Trump, por se do të ishte gabim i madh që të mendohet se gara ka marrë fund.
“Është goxha e qartë për mua se të martën në mbrëmje, nënpresidentja Kamala Harris e fitoi atë që mund të jetë debati i vetëm mes saj dhe ish-presidentit Donald Trump. Nënpresidentja pati ca ndihmë, gjithashtu. Ajo u ndihmua dhe u inkurajua nga dy moderatorët e “ABC News” që dukej sikur e ndienin nevojën për të kontrolluar me fakte pothuajse gjithçka që tha ish-presidenti” – shkroi analisti Schoen në një opinion të publikuar në televizionin “Fox News”.
“Edhe pse Harrisi qartazi e fitoi debatin sipas vlerësimit tim, nuk është krejt e qartë se ky debat, vetëm 56 ditë para zgjedhjeve, do të ndikojë në mënyrë themelore në rezultatin e 5 nëntorit” – shkroi ai më tej.
“E them këtë, sepse Trumpi nuk i foli drejtpërdrejt bazës së tij të martën mbrëma. Përkrahësit e tij kuptuan, siç kuptoi kushdo tjetër, se sa anësi vendosi “ABC News”-i në proces. Për të qenë të sigurt, Harrisi pati përgjigje më të mira për abortin, kujdesin shëndetësor, ndryshimet klimatike dhe lidershipin për të ardhmen. Kaq është e qartë. Por çfarë gjithashtu është e qartë është që ajo që Trumpi e tha në deklaratën përmbyllëse mbetet rasti” – vlerësoi analisti amerikan.
“Votuesit mbeten të zemëruar për drejtimin që e ka marrë vendi, për performancën e presidentit Joe Biden dhe nënpresidentes Kamala Harris, si dhe për atë se cilit kandidat i besojnë më shumë për dy ose tri çështjet kryesore me të cilat ballafaqohet vendi: ekonomia, migracioni dhe rendi e ligji” – shtoi Schoen-i.
“Hamendësimi im më i mirë është që Harrisi do të marrë një shtytje të lehtë nga performanca e saj në këtë ballafaqim, për të cilin demokratët festuan porsa Trumpi filloi që të shndërrohej në i ashpër dhe armiqësor brenda 45 minutave të para të debatit” – vlerësoi analisti.