"S'bëra asgjë që t'jem këtu": ShBA-ja e ekzekutoi të dënuarin e dytë me gaz azoti
Shteti Alabama i ShBA-së e ka kryer ekzekutimin e dytë në nivel kombëtar të një të burgosuri të dënuar me vdekje duke e përdorur metodën me gaz azoti, teknikë eksperimentale për njerëzit që veterinerët e kanë cilësuar si të papranueshme në ShBA dhe Evropë edhe për eutanazinë ndaj shumicës së kafshëve.
Paralajmërim: Teksti i mëposhtëm përmban përshkrim të një skene të ndjeshme që mund të shkaktojë shqetësim.
Alan Eugene Miller, 59 vjeç, u shpall i vdekur në orën 18 e 38 minuta sipas kohës lokale në një burg në jug të Alabamës, raporton gazeta “The Guardian”.
I dënuari u tund dhe u drodh në shtratin e fundit për rreth dy minuta, ndërsa trupi i tij nganjëherë shfaqte forcë kundër rripave kufizues, ndërsa tërë kjo u përcoll me rreth gjashtë minuta me gulçime të frymëmarrjes, sipas agjencisë “Associated Press”.
Fjalët e fundit të Millerit ishin “nuk bëra asgjë për të qenë këtu” dhe “nuk bëra asgjë për të qenë i dënuar me vdekje”, sipas reporterëve që ishin dëshmitarë të vdekjes. Zëri i tij nganjëherë vinte i mbytur nga maska që e mbulonte fytyrën nga balli deri në mjekër.
Milleri ishte shpallur fajtor për vrasjen e tre kolegëve të punës më 1999 – Lee Holdbrooks, Christohper Scott Yancy dhe Terry Jarvis.
“Sonte, drejtësia më në fund u dha për këto tri viktima. Aktet e tij nuk ishin prej çmendurie, por prej ligësisë së pastër. Tri familje u ndryshuan përgjithmonë nga krimet e tij neveritëse dhe unë lutem që ato të mund të gjejnë rehati pas tërë këtyre viteve” – tha në një deklaratë guvernatorja e Alabamës, Kay Ivey.
Vdekja e Millerit është më e reja në një javë të jashtëzakonshme në ShBA, kur pesë burra të dënuar me vdekje në pesë shtete janë ekzekutuar për gjashtë ditë.
Të premten, Karolina e Jugut e ekzekutoi të dënuarin Khalil Divine Black Sun Allah, në ekzekutimin e parë në atë shtet në 13 vjet, ndërsa të martën, Teksasi e ekzekutoi Travis Mullisin e Missouri Marcellus Williamsin. Të enjten, Oklahoma e ekzekutoi Emmanuel Littlejohnin.
Ekzekutimi i Williamsit në Missouri nxiti zemërim të gjerë në ShBA dhe përtej saj, pasi prokurorët lokalë, familja e viktimës dhe disa gjykatës të rastit ishin përpjekur pa sukses që ta parandalonin ekzekutimin. Nuk kishte dëshmi të forenzikës që e lidhnin të dënuarin me krimin dhe prokurori aktual në distriktin St Lousi kishte konkluduar se i burgosuri ishte i pafajshëm./Nacionale